TIRANË, 3 tetor 2013 – Deri të shtunën në mbrëmje Shqipëria do të ketë një mot të qëndrueshëm, të kthjellët, me një farë freskimi. “Prishja” vjeshtore fillon të dielën e vazhdon të hënën e të martën, me vranësira dhe reshje shiu. Departamenti i Klimës dhe Mjedisit i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në universitetin publik Politeknik Tiranë jep këtë parashikim 6-ditor të motit në territorin shqiptar.
Situata sinoptike (figura nr. 1)
Në figurën nr 1 paraqitet situata sinoptike e parashikuar për datën 4 tetor në orën 00. Vihet re se rajoni i Ballkanit do të ndikohet nga një fushë me presion atmosferik të lartë.
4 tetor 2013 (figura nr. 2)
Gjatë kësaj dite mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të pakta në vendet malore. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 15 km/orë, nga veriu. Temperaturat ekstreme pritet të luhaten: në vendet malore temperaturat minimale do të zbresin deri në 1, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 12 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale do të zbresin deri në 9, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 18 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 11, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 20 gradë celsius.
5 tetor 2013 (figura nr. 3)
Gjatë kësaj dite mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot më i kthjellët me vranësira të pakta, të cilat do të shtohen në fund të ditës. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 15 km/orë, nga juglindja. Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten: në vendet malore temperaturat minimale do të zbresin deri në 1, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 14 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale do të zbresin deri në 7, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 19 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 10, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 21 gradë celsius.
6 -9 tetor 2013 (figura nr. 4)
Situata sinoptike e parashikuar për datën 7 tetor në mesditë tregon për ndikimin e periferisë së një fushe me presion atmosferik të ulët mbi rajonin e Ballkanit si dhe i kalimit të një sistemi frontesh atmosferike. Rrjedhimisht, pritet që në përgjithësi gjatë kësaj periudhe të mbizotërojë mot me vranësira dhe shira. Temperaturat maksimale, do të luhaten: në vendet malore nga 9-12 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 20-22 gradë. Temperaturat minimale, do të luhaten: në vendet malore nga 5-9, ndërsa në zonën e ulët dhe bregdet nga 11 deri në 14 gradë. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri e fortë, në përgjithësi nga kuadranti i jugut.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





