“Parashikimet për pikun e koronavirusit i bëjnë ekspertët, sigurisht është mirë t’i bësh, por më pas duket parë nëse ato konfirmohen. Ndoshta pikun nuk do ta arrijmë javën e ardhshme, por pas dy javësh”.

Kështu u shpreh sot kreu i Mbrojtjes Civile në Itali, Angelo Borrelli, gjatë një interviste për Rai Radio2, gjatë emisionit “I Lunatici”.

“Të gjithë thonë se po shkojmë drejt pikut dhe shpresojmë që të vijë një orë e më parë”, shtoi Borrelli, raporton La Repubblica.

“Optimizmi dhe shpresa duhet të na vijnë nga sjelljet e bashkëkombësave tanë. Duhet kujdes maksimal, duhen evituar daljet. Është e domosdoshme për të frenuar rastet e reja. Duhen shmangur kontaktet njerëzore dhe duhet lëvizur sa më pak të jetë e mundur. Mos dilni nga shtëpia, vetëm nëse është e domosdoshme. Epidemiologët na thonë se nëse ne vazhdojmë me jetën tonë të mëparshme, përqindja e të prekurve nga koronavirusi është shumë e lartë. Për këtë nevojiten masa si ato që u morën në Kinë”,– tha më tej Borrelli.

Italia regjistroi dje 427 të vdekur, ndërsa numri i të vdekurve arriti 3405, duke kaluar numrin e personave që humbën jetën në Kinë nga koronavirusi. Ndërkohë, në total që nga dita e parë e shfaqjes së koronavirusit në Itali, numri i personave të prekur është 41.035.