Pensionistët janë e vetmja fuqi blerëse për tregun industrial në Durrës. Ky është realiteti i dhjetëra tregtarëve, që në këto ditë të para të vitit 2025 vazhdojnë të ushtrojnë aty aktivitetin e tyre tregtar.
Të tjerë janë dorëzuar dhe kanë ulur qepenët. Si asnjëherë tjetër, në ditët e fundit të vitit 2024 dhe këto ditë të para të vitit të ri xhirot ditore kanë qenë shumë të ulta,
“Si mos më keq është, sepse nuk ka punë. Vetëm ata që nuk kanë lekë vijnë këtu!”
“Pensionistët vijnë më shumë, të rinjtë shkojnë nëpër qendra tregtare”.
“Pensionistët nuk kanë para. Puna jonë është shumë dobët, njerëz nuk ka, para nuk ka! Nuk po përballojmë dot qiranë”,– thonë pjesa më e madhe e tragtarëve për mikrofonin e “DurrësLajm”.
Një konkurencë e fortë u bëhet tregtarëve edhe nga tregu i shitjeve online. Nga rreth 300 tregtarë që ishin disa vite më parë, numri i tyre është reduktuar ndjeshëm, ndërkohë që vetëm 2/3 e hapësirave të shitjeve janë aktive. Të tjerat janë mbyllur mbase përgjithmonë, ndërsa parashikimi duket i zymtë për të ardhmen.
“Po nuk pati njerëz, nuk ka punë. Edhe mund të mbyllet, drejt asaj po shkojmë!”,- thonë të dëshpëruar tregtarët.
M.B.