Reali i Madridit nuk ka asnjë shans të përsërisë suksesin e vitit të kaluar në Champions League, të paktën kështu thotë një parashikim i fundit nga organi më i lartë i futbollit europian.Pasi parashikoi me sukses vitin e kaluar se do të ishte Reali i Madridit fitues i Champions League, UEFA provon edhe këtë vit të bëjë parashikime, të cilat bazohen në statistikat e viteve të fundit të skuadrave pjesëmarrëse.
Sipas UEFA-s, këtë vit do të jetë Barcelona që do të ngrejë kupën me “veshët e mëdhenj”, të paktën sipas statistikave dhe fakteve të marra në konsideratë nga UEFA. Në 11 sezonet e fundit në Champions League, 10 herë ky trofe është fituar nga skuadrat që kanë dalë të parat në grup, përjashtim ka bërë vetëm Interi. Asnjë ekip nuk ka mundur ta fitojë këtë trofe, nëse në fazën e grupeve ka pësuar më shumë se 8 gola dhe Borussia Dortmund, Benfica, Manchester City dhe Real Madrid e kanë kaluar këtë prag.
Që nga koha që Champions ka ndryshuar format, asnjë klub që kalon fazën e grupeve për herë të parë në historinë e tij nuk ka arritur të fitojë trofeun, një fakt që “dënon” Leicester-in e Ranierit. Megjithatë, këto mbeten vetëm në rangun e parashikimeve dhe të gjitha skuadrat që janë ende në garë kanë mundësinë për të bërë të tyrin trofeun më të rëndësishëm në Europë në nivel klubesh.