Këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku ka reaguar me emocion pasi u nderua me titullin ‘Qytetare nderi’ e Kavajës, duke përcjellë një video-mesazh nga New York-u, ku kujtoi rrënjët e saj dhe vitet e fëmijërisë në qytetin që e konsideron vendlindjen shpirtërore.

Artistja thotë se, pavarësisht se ka kënduar në skena botërore, ajo ka mbetur gjithmonë e lidhur me Kavajën dhe vlerat me të cilat është rritur.

“Guri i rëndë në vend të vet. Mund ta nxjerrësh Parashqevinë nga Kavaja, por jo Kavajën nga unë. Jam dhe do të mbetem kavajase, edhe pse kam kënduar kudo”, u shpreh Simaku.

Në mesazhin e saj, këngëtarja falënderoi përzemërsisht autoritetet dhe qytetarët e Kavajës për nderimin, duke përmendur me nostalgji figurat dhe mësuesit që kanë ndikuar në formimin e saj artistik dhe njerëzor.

Ajo kujtoi edhe bashkëpunimet e hershme muzikore dhe rolin e këngës popullore shqiptare në identitetin e saj.

“Kudo që kam shkuar, kam përfaqësuar Kavajën dhe Shqipërinë me thjeshtësi, kënaqësi dhe ndershmëri. Shpirti i njeriut nuk ndërron kurrë”, tha ajo.

Parashqevi Simaku u shpreh se, edhe pse sot jeton në New York, lidhja me vendlindjen mbetet e pandashme dhe se ky vlerësim ka një domethënie të veçantë për të.

Titulli ‘Qytetare nderi’ e Kavajës vjen si një vlerësim për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën ka përfaqësuar kulturën shqiptare në skena ndërkombëtare.