Skënderbeu ka qënë një nga personalitetet historiko – ushtarake që luajti një rrol të madh në skenën e historisë ushtarake shqiptare dhe atë europiane.
I pajisur me cilësi të rralla, ai mundi të habisë jo vetëm perandorinë turke të atëhershme, por edhe shekujt e mëpastajmë deri në ditët tona. Strateg e gjeneral i madh, ai dërrmoi në një kohë të shkurtër armiqtë e tij personalë, si edhe ata të popullit shqiptar, zhvilloi mbi 24 beteja të lavdishme luftarake dhe i fitoi me humbje minimale, lartësoi tradicionalizmin e artit ushtarak të popullit shqiptar si dhe pasuroi artin e të luftuarit të Italisë dhe shteteve ballkanike, përhapi qytetërimin në shumë qytete të vendit tonë.
Skënderbeu shkëlqeu në Shqipëri, Europë me mendjen e tij të hollë, me zgjuarësinë e jashtëzakonshme, me gjakftohtësinë dhe përkurmërinë, me fisnikërinë dhe shpirtma-dhësinë, me zemërbardhësinë dhe butësinë, duke lënë gjurmë në larminë e artit ushtarak, krijimtarinë, tradicionalizmit të mënyrës për të luftuar e fituar, të cilat kanë vlerë studi-more për të sotmen e të ardhmen e mjeshtërisë së të luftuarit dhe cilësitë e koman-dantit që drejton betejën. Gjurmët e luftimeve të tij nuk mund t’i shuajë jo njeriu, por as koha e cila ka zakon të prishë e shkatërrojë çdo gjë në këtë botë.
Duket se ky Komandant Ushtarak legjendar ishte pushtuar prej një lloj zilie e smire, i kushtonte zili e smirë vetes, sikundër ne u kemi zili të tjerëve dhe mundohej si e si t’i bënte vetes një lloj konkurrence duke dashur gjithnjë të rrëzonte vlerën e punës së tij të kaluar me anë veprash të reja. Ai në luftë nga komandat ushtarake kërkonte: Në fitore – Vëmendje; në disfatë – Qëndresë; në fatkeqësi – Kurajo; në vendim – Mënçuri; në luftë – Burrëri; në të papritura – Zgjuarsi;
a) Parimet kryesore të Artit Ushtarak në përgjithësi në pragun e
Luftës shqiptaro-turke.
Për zhvillimin e mëtejshëm të artit ushtarak, Frederik Engelsi na thotë: “Çdo udhëheqës i madh, që krijon një epokë në historinë ushtarake, duke përdorur kombina-cione të reja, është ose shpikës i forcave të reja materiale ose i pari që gjen mënyrën e drejtë të përdorimit të forcave jo të njohura para tij”. Nën një prizëm të këtillë duhet shikuar dhe zhvillimi i mëtejshëm i artit ushtarak nga Skënderbeu.
Përpara se të shikojmë se ç’të reja gjejmë në fushën e artit ushtarak në betejat e zhvilluara nga ushtria e Skënderbeut, është e nevojshme t’i hedhim një sy kalimthi gjendjes dhe parimeve të artit ushtarak të ushtrive kryesore evropiane në gjysmën e parë të shekullit XV.
Si pasojë e coptimit feudal të vendeve në principata të vogla gjatë periudhës së anarkisë feudale, arti ushtarak ishte në një nivel shumë të ulët. Parimet strategjike dhe taktike të Aleksandrit të Maqedonisë, Epaminondës, Pirros, Hanibalit dhe të Jul Qesarit ishin harruar. Luftrat tani zhvilloheshin kryesisht midis feudalëve të një vendi.
Natyrisht këtu duhet të përjashtojmë pushtimet e arabëve, mongolëve dhe turqve. Për zhvillimin e teknikës gjithë mesjeta ishte një periudhë e pafrytëshme, e tillë ajo qe edhe për shkencat e tjera. “Sistemi feudal, ndonse ishte në vetvete një organizatë ushtarake që nga lindja e tij, megjithatë, në thelbin e vet, ai ishte kundër çdo disipline”. Në mesjetë, u deshën shekuj për të përsosur armët e zjarrit, metodat dhe formacionin e luftimit të ushtrive.
Në shekullin e XV, forcat e armatosura të vendeve evropiane krijoheshin mbi tri parime kryesore: në ushtrinë feudale, ku çdo feudal ishte i detyruar nga feudali më i madh, princi ose mbreti të paraqitej në luftë me një numër të caktuar ushtarësh bujkrobër, simbas feudës që zotëronte; në ushtritë e tipit të policisë së qyteteve dhe në ushtritë mer-cenare. Por baza kryesore për plotësimin e ushtrive ishin mercenarët e huaj.
Ushtritë mercenare që luftonin nën flamurin e vendeve të ndryshme, ishin të padi-siplinuara. Grabitjet dhe puçet ushtarake ishin fenomene të zakonëshme. Shumë herë, reparte të veçuara kalonin në anën e kundërshtarit dhe ushtarët që binin robër viheshin nën flamurin e atij që i kapte. Ushtritë mercenare kishin një prapavijë të madhe, ato merrnin pas, atje ku shërbenin, gratë dhe fëmijët.
Landsknehtët mercenarë gjermanë kishin në dhjetë ushtarë një karrocë, kurse kalorësit, sipas një traktati të vitit 1568, kishin një karrocë për 4–6 ushtarë. Çdo ushtar interesohej vetë për nozullimet e tij. Popullsia që gjendej gjatë rrugës së lëvizjes së ushtrisë ose në zonat e vendosjes së saj, grabitej tmerrë-sisht. Ushtritë feudale pushuan së ekzistuari, por krijoheshin ushtri të reja nga një numër i madh mercenarësh, të cilëve, në agoninë e feudalizmit, iu dha mundësia t’i shërbenin atyre që i paguanin më mirë. Kështu lindi një lloj ushtrie e përhershme.
Duke filluar nga luftrat e Skënderbeut, më 1444, dhe nga vitet e fundit të luftës njëqindvjeçare anglo-franceze (1337-1453), lindi ushtria e përhershme kombëtare me rrogë, që luftonte për interestat e mbrojtjes së Atdheut.
Ushtritë e shekullit XV përbëheshin nga kaloria dhe këmbësoria. Në Evropë akoma mbizotëronte kaloria e rëndë feudale, e mbuluar kokë e këmbë me pafta metalike, si kalorësi ashtu edhe kali. Kjo kalori mezi lëvizte në fushën e luftës, dhe e humbi rëndësinë e saj të përparshme kur lindi këmbësoria, e aftë për të luftuar kundër kësaj kalorie. E tillë qe këmbësoria e qyteteve të Flandrës, që theu ushtrinë fëudale franceze në betejën e Kurtresë më 1302.
Mungesën e manovrimit të kësaj kalorie të rendë e njihnin atëhere të gjithë dhe hartonin projekte të ndryshme për të krijuar një lloj kalorie më të manovrueshme. Shigje-tarët kalorës duheshin të mbushnin pjesërisht këtë boshllëk. Në Itali dhe në vendet fqinjë të saj, po gjenin shërbim, në shekujt XI-XVI. “Stratiotët”e kalorisë së lehtë, sipas tipit të kalorësve turq, që përbëheshin nga mercenarët boshnjakë dhe shqiptarë.
Armatimi kryesor i ushtrive në shekullin XV ishte shpata, topuzi, sëpata. Si armë zjarri ishin bombardat dhe armët e lehta të dorës, të cilat ishin në lindje e sipër. Armë zjarri e dorës ishte arkebuzi i shekullit XIV, i cili ishte primitiv dhe me cilësi luftarake më të ulta se shigjeta. Në fushën e luftës kjo armë nuk luante asnjë rol, dhe shpesh herë në luftimet e shekullit XV nuk përmëndet fare.
Bombardat, që filluan të duken në fushën e luftës, nuk luanin ndonjë rol, meqë ato nuk mund të zinin pozicionet dhe të bënin zjarr në kohën e duhur. Bombardat mbushe-shin nga gryka me vështirësi dhe me vonesë. Nga shkaku i barutit që ishte i dobët, largësia e qitjes ishte shumë e vogël.
“Deri në fund të mesjetës, armët e zjarrit të dorës nuk kishin rëndësi. Kjo ishte e kuptueshme, sepse shigjeta e këmbësorit englez në Kresi, më 1346, qëllonte aq larg, sa edhe arma e këmnësorisë në Vaterlo më 1815. Shigjeta bile mund të ishte më e saktë, ndonëse bënte efekt më të vogël se arma e zjarrit. Havanat fushore ishin pothuajse në kohën e lindjes së tyre, por mund të shponin muret e fortesave”.
Si pajime mbrojtëse kalorësit dhe këmbësorët, kishin mburoja, përkrenare, parzmore, këmisha metalike, e të tjera.
Mbi rrjeshtimin e ushtrive për betejë, në mesjetë mund të nxirren të dhëna nga betejat më kryesore të shekullit XV: Beteja e Ankarasë midis turqëve dhe Timurlengut, më 1402, e Grynvaldit (Tanenbergut) midis polakëve e letonezëve nga njera anë dhe gjermanëve nga ana tjetër, më 1410; e Maleshovit midis çekëve të udhëhequr nga Jan Zhishka dhe koalicionit të feudalëve gjermanë, polakë dhe hungarezë, më 1424; e Varnës midis hungarezëve dhe polakëve nga njera anë dhe turqve nga ana tjetër, më 1444; e Murtenit midis sviceranëve dhe burgonëve më 1476. Me këto mund të arrijmë në përfun-dim se formacioni i luftimit përbëhej nga kuadrati i tipit falangë, që shtrihej si në front ashtu dhe në thellësi. Këto ishin masa të mëdha këmbësorie, të përbëra nga mercenarë të armatosur me shtiza dhe të shtërnguar.
Numri i rrjeshtave në kuadrate dhe sasia e kuadrateve, varej nga numri i ushtrive që merrnin pjesë në luftë. Në këtë kohë, luftat në Evropë nuk ishin shumë të përgjak-shme. Betejat zhvilloheshin kryesisht për marrjen e fortesave dhe në luftë vriteshin disa qindra ushtarë, shumë rrallë disa mijra.
Luftrat nuk ndiqnin ndonjë qëllim strategjik të madh, por kishin një qëllim politik të caktuar. Ato ktheheshin në fushata plaçkitje midis feudalëve të ndryshëm. Manovrimi dhe bashkëveprimi midis kalorisë, këmbësorisë dhe formaconit luftarak në tërësi, nuk ekzistonte.
Në shumë raste, qëllimi kryesor i luftës ishte zgjidhja e konflikteve midis feuda-lëve të një vendi ose të vendeve të ndryshme. Anët kundërshtare, sidomos në Evropën qëndrore dhe perëndimore, parashikonin marrjen e ndonjë fortese, mbrojtjen e saj ose thyerjen dhe vënien në ikje të forcave kundërshtare. Natyrisht, gjatë Mesjetës ka patur edhe luftra me karakter të madh pushtues, si ato të Karlit të Madh, të arabëve, mongo-lëve, turqve.
Në kohën që studiojmë ushtria turke ka qënë ushtria më e madhe dhe më e prega-titur për luftë. Kjo ishte e ndarë në tri lloje kryesore: jeniçerë, spahij dhe akinxhij. Jeniçerët ishin formacionet më luftarake dhe më të pregatitura për luftë. Këta kanë qënë ushtria e përherëshme, e organizuar në vitin 1326. Kjo ushtri nuk ishte kombëtare, ajo përbëhej nga fëmijë të krishterë të grabitur dhe të mbledhur gjatë fushatave që kryenin turqit. Këta fëmijë që ishin të mitur, edukoheshin me fenë islame dhe pregatiteshin për repartet jeniçere si këmbësorë.
Spahijtë ishin kalorës feudalë, të cilët detyroheshin të paraqiteshin në luftë me kalë dhe të armatosur me reaprtet e tyre, kur i thërriste sulltani. Akinxhijtë ishin këmbësorë dhe kalorës dhe përbënin pjesën më të madhe të ushtrisë turke. Këta vinin nga shtresa të ndryshme të popullit turk dhe nuk kishin një pregatitje luftarake, përbënin pjesën më të madhe të ushtrisë turke dhe përdoreshin në radhë të parë si pararojë. Në të shumtën e herës, ata dërgoheshin për të terrorizuar dhe për të grabitur vendet që sulmoheshin. Sipas ligjit, akinxhinjtë, një të pestën e pasurisë së grabitur ja dorëzonin sulltanit dhe pjesën tjetër, e mbanin për vete.
Ushtria turke ishte një ushtri masive, strategjia dhe taktika e së cilës ishte krejt e ndryshme nga ajo e ushtrive feudale të Evropës. Baza e strategjisë dhe e taktikës së ush-trisë turke ishte përdorimi në masë i kavalerisë së lehtë, zhvillimi i betejave të mëdha fushore, rrethimi dhe marrja e kështjellave si dhe formimi i kolonive turke në vendet e pushtuara.
Në një gjendje të tillë zhvillimi ndodhej afërsisht arti ushtarak dhe ushtria e shteteve feudale europiane, kur filloi një nga luftrat më të përgjakëshme dhe më përpa-rimtare të Mesjetës, lufta e madhe njëzetepesë vjeçare shqiptaro-turke e viteve 1443-1468.
b) Ushtria shqiptare dhe zhvillimi i artit të saj nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu
Përballimi me sukses i luftës kundër pushtuesve osmanë kërkonte në radhë të parë krijimin e një ushtrie të aftë dhe me cilësi të lartë luftarake. Si njohës i mirë i ushtrisë osmane, i organizimit dhe armatimit të saj, Skënderbeu që në fillim, vuri në qendër të vëmendjes organizimin dhe fuqizimin e forcave ushtarake të vendit, që të ishin në gjëndje të përballonin një kundërshtar aqë të fuqishëm.
Në Kuvendin e Lezhës të marsit 1444 u vendos që, me kontributin e pjesëmarrësve të tij, të krijohej një ushtri e përbashkët. Bërthamën kryesore të saj e formuan luftëtarët që i mobilizonte vetë Skënderbeu, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Në fillim forcat ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare kishin karakter feudal, sepse fisnikët shqiptarë, jashtë ushtrisë së përbashkët që ishte nën komandën e Skënderbeut, mbanin një numër jo të vogël forcash ushtarake. Këto trupa, gjatë procesit të formimit të shtetit të përbashkët shqiptar, u shkrinë me forcat e ushtrisë së përbashkët.
Masa e luftëtarëve vinte kryesisht nga radhët e fshatarësisë. Ajo mbante një qën-drim të papajtueshëm ndaj pushtetit osman, dhe ishte në gadishmëri të tillë të përhershme luftarake aq sa, siç shprehej Barleci, “burrat me njërën dorë lëronin arat dhe me tjetrën mbanin shpatën”. Fshatarësia u bë burim i pashtershëm forcash njerëzore për for-mimin e një ushtrie të madhe popullore, të fuqishme, me shpirt të lartë vetmohimi, të panjohur në kushtet e luftërave të zakonshme feudale.
Ushtria shqiptare përbëhej nga trupat e përhershme dhe nga luftëtarë që mobilizo-heshin vetëm gjatë kohës së luftës. Trupat e përhershme ishin ndarë në dy njësi kryesore. Njëra përbëhej prej 2 mijë deri 3 mijë kalorës të armatosur lehtë, të cilët stërvi-teshin prej Skënderbeut dhe shërbenin si gardë personale e tij. Pjesa tjetër ruante fortesat dhe kësh-tjellat e vendit, si dhe brezin kufitar lindor. Trupat në viset kufitare lindore i ko-mandonte Moisi Arianiti (Golemi) dhe, sipas M. Barlecit, përbëheshin nga 2 mijë kalo-rës dhe 1 mijë këmbësorë. Masën kryesore të ushtrisë shqiptare e formonin luftëtarët që mobilizo-heshin gjatë kohës së luftës sipas parimit “burrë për shtëpi”. Kur rreziku ishte tepër i madh, mobilizoheshin të gjithë banorët që mund të luftonin. Kur bëhej mobilizimi i për-gjithshëm, forcat ushtarake shqiptare arrinin nga 20 mijë deri në 30 mijë luftëtarë, duke formuar një ushtri të madhe për kohën.
Komanda e ushtrisë ishte në dorën e Skënderbeut, që ishte komandant i përgjith-shëm. Për t’u konsultuar gjatë veprimeve ushtarake pranë tij qëndronte Këshilli i Luftës, i përbërë nga komandantët më të shquar, të cilët zakonisht dilnin nga radhët e fisnkëve. Kishte edhe komandantë që dilnin nga radhët e njerëzve të thjeshtë, të cilët drejtonin formacionet e ndryshme luftarake, sidomos kur shpallej mobilizimi i përgjithshëm.
Pjesmarrja e gjerë e shqiptarëve në ushtrinë e Skënderbeut la gjurmët e veta në taktikën dhe armatimin e saj. Në kushtet e vendit tonë mori përhapje të gjerë lufta guerile, formë tradicionale kjo e luftës së fshatarësisë në epoka e vende të ndryshme. Ushtria shqiptare përbëhej nga kalorësia, që përgjithësisht ishte e pakoracuar, prandaj lëvizte me shpejtësi, dhe nga këmbësoria. Luftëtarët e saj përgjithësisht kishin armatim të lehtë dhe nuk mbanin armatime të rënda si ato që përdoreshin në ushtrinë feudale të kohës. Skën-derbeu e mbështeti strategjinë dhe taktikën ushtarake në trimërinë dhe heroizmin e luftë-tarëve të tij, në traditën luftarake të shqiptarëve, në njohjen prej tij të organizimit e të artit ushtarak të armikut etj.
Ushtria shqiptare kishte si detyrë parësore moslejimin e trupave osmane që të futeshin në thellësi të viseve të lira për të grabitur e shkatërruar vendin. Këtij qëllimi i shërbente sistemi mbrojtës i brezit kufitar, të cilit iu kushtua kujdes i veçantë. Pasi trupat osmane pushtuan Sfetigradin, shqiptarët, pa vonesë, ngritën në viset lindore një bazë tjetër ushtarake e të fortifikuar, kështjellën e Modrishës.
Zakonisht ushtritë armike sulmoheshin e shpartalloheshin në zonat kufitare. Kur ushtritë osmane ishin shumë të mëdha dhe nuk mund të shkatërroheshin në brezin kufitar, Skënderbeu ndërmerrte masa energjike për të përballuar zhvillimin e luftimeve në thellësi të vendit. Popullsia e paaftë për luftë largohej prej zonave që mund të shkeleshin prej ushtrive armike dhe strehohej përkohësisht nëpër vende malore të sigurta, duke marrë me vete bagëtinë, rezervat ushqimore e sende të ndryshme. Materialet e prodhimet, që nuk mund të transportoheshin, asgjësoheshin me qëllim që trupave pushtuese t’u hiqej mun-dësia e përdorimit të tyre. Ndërkohë kështjellat përforcoheshin, duke i furnizuar me ush-tarë, armatime e rezerva ushqimore.
Kur trupat osmane arrinin të futeshin në thellësi të vendit, luftëtarët e brezit kufitar tërhiqeshin të organizuar dhe bashkoheshin me pjesën tjetër të forcave shqiptare. Gjatë tërheqies ata sulmoni parreshtur trupat osmane, ngadalësonin marshimin e tyre, duke u shkaktuar dëme të mëdha.
Kur arrinin të depërtonin në thellësi të vendit synimi kryesor i trupave osmane ishte pushtimi i Krujës, që ishte kryeqendra administrative dhe ushtarake për viset e lira shqiptare. Në këto raste Skënderbeu organizonte veprimet luftarake në mënyrë të tillë, që pesha kryesore e luftimeve të binte jo mbi mbrojtësit e kështjellës, por mbi luftëtarët që vepronin jashtë saj. Me shumicën e ushtrisë ai qëndronte jashtë kështjellës dhe organizo-nte me to, ditën dhe natën, sulme të pandërprera e të befasishme, që u shkaktonin dëme të rënda forcave pushtuese. Vëmendje të veçantë i kushtonte Skënderbeu edhe prerjes së rrugëve të furnizimit të armikut. Sulmoheshin karvanet që vinin nga lindja për të furni-zuar ushtrinë osmane me ushqime e sende të tjera të nevojshme, si dhe ato që vinin nga drejtime të tjera. Këtë detyrë e kryenin sidomos çetat e armatosura.
Skëmderbeu i kushtonte kujdes edhe organizimit të zbulimit. Zbuluesit shqiptarë gjendeshin kudo, në krahinat fqinje, në zonën ku marshonte, qëndronte e vepronte ushtria armike dhe në qendër të Perandorisë Osmane. Nëpërmjet tyre siguroheshin të dhëna të karakterit strategjik, operativ e taktik që kishin të bënin me kohën e ardhjes së ushtrisë armike, me madhësinë e organizimin, si dhe me lëvizjen e veprimet luftarake të saj etj. Zbuluesit i paraprinin ushtrisë shqiptare, kur kjo futej në vise të pushtuara. Ata organizo-heshin në grupe, lëviznin në largësi të caktuara ndërmjet tyre dhe kontrollonin mirë terrenin për të shmangur pritat e armikut, dërgonin shpejt në drejtim të Skënderbeut infor-macionin e grumbulluar.
Variantet taktike që përdorte Skënderbeu për të shpartalluar ushtrinë armike ishin të larmishme e mbështeteshin në bashkërendimin e mbrojtjes me sulmin, të mësymjes së ushtrisë së rregullt me goditjen e çetave, të ndeshjeve ballore me sulmet e befasishme, duke futur në përdorim si këmbësorinë ashtu edhe kalorësinë e armatosur lehtë. Në çdo luftim Skënderbeu përpiqej të parashikonte ecurinë e tij, sulmonte e hapte beteja në kushte që i dukeshin më të përshtatshme. Ai gërshetoi dhe përdori gjerësisht manovrën e shpejtë të forcave të veta me sulmet e befasishme mbi ushtritë armike në çdo kohë, ditën dhe natën, duke i shoqëruar këto në mënyrë të përsosur me prita e kurthe të ndryshme.
Skënderbeu kishte aftësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ai ishte në të njetën kohë strateg dhe ushtar, hartonte e ndryshonte në përshtatje me situatat planin e luftës, udhë-hiqte ushtrinë edhe njëkohësisht luftonte edhe vetë.
Skënderbeu i bëri ballë pushtimit të Shqipërisë nga turqit e perandorisë osmane për 24 vjet. Ai kurrë nuk humbi, qoftë edhe një betejë. Shqipëria u mbrojt në radhë të parë, prej shqiptarëve, njerëz luftarakë, të rreptë, xhelozë për lirinë e tyre, krenarë për traditat e veta. Skënderbeu nuk ishte vetëm një Kapidan Gjenial i luftës, por dhe një burrë shteti me integritet politik shumëdimensional.
Dokt. Shkenc. Novruz Zejnati
Kolonel. R.