Nga Mark Brunga
Më 23 mars 2014, në mjediset e kompanisë ALBINFOS në sheshin Denfert-Rochereau në Paris u organizua ekspozita e pikturës e motrave durrsake Shpresë Beqiri dhe Deti Ademi.
Ishin te pranishëm me ketë rast ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Francë Dritan Tola, ish-ambasadori i Shqipërisë në këtë vend Luan Rama, intelektualë, artiste dhe familje shqiptare me banim në Paris, miq të Shqipërisë, drejtues të shoqatave kulturore shqiptare si “Albania”, etj,
Merrte pjesë gjithashtu Solange d’Angely, “Kalorëse e Legjionit të Nderit”, e bija e albanologut Robert d’Angely, e njohur nga lexuesit shqiptarë si botuese e veprës së të atit “Enigma”.
Në posterët e afishuar me këtë rast, ishin foto që paraqisnin punë të motrave durrsake. Nën pikturën e Shpresë Beqirit lexohej përkufizimi “Poetesha e Evës pa Adamin” dhe në atë të Detit, ishte vendosur shënimi “Ngrohtësi mesdhetare nga Çikago”.
Shpresa rikthehet para publikut intelektual parisian pas13 vjetësh. Herën e parë, në një veprimtari të organizuar po nga ambasada shqiptare në Paris, ajo e shpalosi nëpërmjet ngjyrave të ngrohta fuqinë e vet piktorike së bashku me bashkëshortin e saj, piktorin e mirënjohur Nikolet Vasia, që u nda nga jeta afro tre vjet më parë.
Ndërsa Deti, që prej 13 vjetësh jeton në Çikago, ekspozon për herë të parë në Francë. Kjo është ekspozita e dytë për të, bashkë me të motrën, pas asaj në prill të vitit të kaluar në Durrës.
Ky aktivitet ishte i veçantë edhe për një motiv tjetër. I mbajtur në mjediset e një biznesi shqiptar në Francë, i plotësuar me libra në gjuhën shqipe dhe vepra arti të krijuesve shqiptare të porositura për këtë mjedis, ai shënon fillimin e një sërë aktivitetesh të sponsorizuara nga ‘Albinfos’ për të promovuar kulturën shqiptare.
Themeluesi e drejtuesi i firmës, durrsaku Gjergj Themeli, është lauruar nga disa prej shkollave elitare të shtetit francez dhe jeton atje prej disa dekadash bashkë me familjen e tij. Ai ka sponsorizuar edhe më parë vepra që lidhen me Shqipërinë.
Mund të përmenden një guidë në disa gjuhë, e plotë e tepër serioze për Shqipërinë, e para e këtij lloji deri tani, dhe disa albume me pamje nga Shqipëria. Megjithatë, fillimi i një aktiviteti të tille ka qenë një ëndërr e vjetër e tij që u materializua pas shumë vitesh, më 23 mars 2014.
SHPRESË BEQIRI
Shpresë Beqiri është sot, sipas ekspertëve të pikturës, një nga individualitetet e spikatura të pikturës shqiptare.
Ndonëse arti i saj ka një gjendje në dukje naive e simboliste, në fakt nuk është modernist dhe bazohet në pikturën e kultivuar e artin dekorativ shqiptar, shkruan piktori dhe kritiku i mirënjohur i artit Llamb Blido.
Një ndër motivet më të preferuara në aktivitetin e kësaj piktoreje durrsake është femra me tërë kompleksitetin e saj. Në universin piktorik të Shpresës shpesh femrat janë të zhveshura dhe jo rastësisht ajo është cilësuar si poeteshë e Evës.
Shkrimtari i mirënjohur Zija Çela, dashamirës dhe mik i piktores, ka arritur disi me tej duke konstatuar se në nudot e saj pothuaj gjithnjë mungon Adami, partneri gati i gjithëkudondodhur i figurës biblike të Evës. Sidoqoftë do të gabonim po ta përkufizonim Shpresën poete të erotizmit (që megjithatë nuk mungon në artin e saj).
Beqiri e përdor nuditetin si mjet të fuqishëm simbolik që shtrihet nga ilustrimet e poezive të Migjenit e deri në temën patriotike, çka është një nga dashuritë e mëdha të saj.
Femrat e saj të zhveshura ose topless, sipas rastit, përfaqësojnë gruan e dhunuar, prostitucionin e forcuar, varfërinë e tejskajshme, refugjaten, mungesën e idealeve, por edhe dashërinë e çiltër.
Madje në një kompozim, femra, disi e zhveshur, e mbajtur e tëra në një gamë të kuqe, përfaqëson Shqipërinë. Autorja e ka titulluar plot dhembje “Shpresë 97” ndonëse mund ta quanim edhe “Guernika” shqiptare. Shpresë Beiqiri ushtron aktivitet të gjerë e të shumanshëm.
Nga viti 1971, kur u angazhua për herë të parë në një ekspozitë kombëtare në Galerinë e Arteve në Tiranë, ajo ka qene e pranishme në dhjetëra veprimtari të tilla artistike, kolektive e personale, në Shqipëri, Itali, Francë, Spanjë dhe ShBA. Përveç shteteve te sipërpërmendura, punët e saj janë pjesë koleksionesh private edhe në Zvicër, Hongkong etj.
Veprimtaria e Shpresë Beqirit shtrihet edhe në fushën e pedagogjisë. Përveçse autore e disa programeve mësimore, ajo është një edukatore e talentuar prej më se katër dekadash dhe nxënësit e saj janë fitues të disa çmimeve ndërkombëtare në Evropë e deri në Japoni.
DETI ADEMI
Deti Ademi, motër e piktores Shpresë Beqiri, ndonëse kurdoherë e pranishme në mjediset artistike, e nisi rrugën e krijimtarisë vetëm 8 vjet më parë në Çikago, ku jeton prej 13 vjetësh.
Tërësisht autodidakte në fillimet e saj, ajo u bë e njohur nëpërmjet një ekspozite personale në Durrës. Punët ishin realizuar kryesisht në ngjyra lapsi, por ky fakt nuk i pengoi njohësit e pikturës të shihnim shumë më tej; shihej në punët e Detit një lloj profesionalizmi intuitiv, që më tepër se sa mësohet në auditorë, buron së brendshmi ose është shprehje e një vëzhgimi dhe akumulimi shumëvjeçar që lulëzon kur gjen “pranverën” e vet.
Ashtu siç ka vepruar mbase çdo piktor në fillimet e veta, Deti kishte përfshirë në këtë përfaqësim të saj të parë disa kopje të piktorëve pas-impresionistë që mund të quhen edhe interpretime të saj.
Ishte megjithatë një punë e vetme origjinale në vaj në këtë ekspozitë, e para në këtë teknikë për të. Paraqet kopshtin prapa shtëpisë ku ajo banonte në Çikago, i parë në një ditë dimri. Ajo pune e vockël, 22×28 cm, fliste shumë për njohësit e artit. Ai peizazh nga një ditë e kallkantë e Çikagos, duke perifrazuar Azis Nesinin, ishte si ajo gotëza e degustimit që na ndihmon të çmojmë verën pa pasur nevojë të pimë tërë fuçinë.
Deti ndoqi përkohësisht degën e pikturës në kolegjin “Harri Truman” të Çikagos nën drejtimin e piktorit meksikan-amerikan C. Garcia.
Një ndihmë unike qenë diskutimet dhe udhëzimet që e motra Shpresë dhe bashkëshorti i saj, piktori i mirënjohur Nikolet Vasia i jepnin nëpërmjet skype-it, ndërsa ajo punonte intensivisht. Megjithatë frymëzimi dhe shtytja më e madhe për Detin për të vazhduar me më forcë në rrugën e vështirë të pikturës ishte një ekspozite me vepra të Van Gogut e Pol Gogenit, që u hap në Institutin e Arteve në Çikago, më e madhja e atij lloji në kontinentin amerikan.
Deti Ademi tregon se si më pas hapi një ekspozitë tjetër personale në Muzeun Historik në Tiranë tërësisht me punë në vaj. Në natyrat e qeta, peizazhet, portretet dhe kompozimet shquhej lirshmëria dhe guximi, me të cilët ajo kishte vendosur ngjyrat në kanavacë; dallohej mirëfilli profesionalizmi dhe të qëndruarit larg çdo komercializmi. Nder të tjera, ajo çka kritikët kanë arritur të veçojnë, është potenca koloristike, një element ky krejt natyror dhe që e bashkon atë me të motrën, Shpresën.





