Në botë nga muaji janar rezultojnë afro 40 milionë të infektuar nga Covidi-19, bilanc i rritur me 400 mijë raste në 24 orë. Mbi 1 milion e 100 mijë gjithsej ka shkuar shifra e jetëve të humbura.
Bota ka shënuar një rekord prej 400 mijë të infektuarish me koronavirusin e ri brenda ditës, ndërkohë që po rikthehen masat kufizuese për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Europa është bërë epiqendra e re e koronavirusit, duke raportuar mesatarisht 140 mijë raste në ditë gjatë javës së kaluar, më shumë sesa India, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara së bashku.
Vendet e mëdha europiane si Britania, Franca, Holanda dhe Spanja përbënë rreth gjysmën e rasteve të reja.
Parisi dhe 8 qytete franceze u shkretuan të shtunën teksa hyri në fuqi shtetrrethimi 1-mujor nga ora 21:00 deri në 6:00 të mëngjesit pasi vatrat e infeksionit nuk po arrihen të kontrollohen ndryshe.
Masa të reja pritet të shpallë të dielën edhe Italia ku një ditë më parë u rrit me gati 11 mijë numri i bartësve të koronavirusit.
Në disa shtete mësimi po zhvillohet nga interneti, bar-restorantet janë mbyllur për disa javë dhe janë anuluar procedurat mjekësore pasi nuk po përballohet shpërthimi për së dyti i Covidit-19.
Në Gjermani, një sondazh i gazetës “Bild am Sonntag” tregoi të dielën se 68 për qind e publikut mendon se situata me pandeminë atje është administruar ashtu si duhet, 89 për qind janë pro vendimit për të detyruar mbajtjen e maskave në zonat publike me rrezik të lartë dhe mbi 70 për qind i mbështetin kufizimet për takimet shoqërore apo për mbylljen e bizneseve të kateringut.
Në pjesën tjetër të botës, Amerika Latine rezulton rajoni më i prekur me rreth 27 për qind të rasteve globale me Covid-19, përpara Azisë, Amerikës së Veriut dhe Europës.
Më pak raste po raporton India krahasuar me muajin e kaluar, ndërsa në Kinë të shtunën u gjetën vetëm 13 të infektuar të rinj dhe u zbuluan 34 pacientë të tjerë asimptomatikë.
Nga vendet e rajonit, Serbia mban rekordin e të prekurve me mbi 35 mijë raste dhe mbi 770 viktima, por bilancin e jetëve të humbura e kryesojnë Bosnjë-Hercegovina apo Maqedonia e Veriut me 980 dhe 821 viktima, ndërkohë në Kosovë, 652 veta nuk i kanë mbijetuar dot virusit.