TIRANË, 12 nëntor 2013 – Rreptësia për shkelësit e ligjit në fushën e qarkullimit rrugor në zonat urbane nuk kursen as makinat e policisë të komisariateve të cilat parkohen gabim nga efektivët e rendit. Në këtë foto të siguruar nga "News 24" dhe "BalkanWeb", një punonjës i policisë rrugore të kryeqytetit gjobit makinën e policisë, e cila është parkuar në vendin e qëndrimit të taksive në rrugën “Sami Frasheri”. 
Episodi ka ndodhur mesditën e së dielës rreth orës 13.00 kur vetëm disa minuta pasi makina e policisë ishte parkuar në vendin e taksive punonjësi që kishte shërbimin i është afruar automjetit blu me mbishkrimin policia dhe i ka plotësuar fletën e kundravajtjes administrative, ose siç njihet ndryshe gjobë për parkim të gabuar. 
Në këtë rruge ku ndodhet Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë dhe shtëpia ku banon kryeministri Edi Rama, situata përsa i përket parkimit dysh dhe parkimit të gabuar ka ndryshuar tërësisht. Ndëshkimi për kundravajtësit e kodit rrugor duket se në këtë zonë të kryeqytetit zbatohet me shumë rigorozitet.
Gjatë tetë orëve të shërbimit tre punonjës të Gardës monitorojnë situatën e sigurisë si dhe dy punonjës të policisë rrugore mbajnë nën kontroll ngarkesën e trafikut dhe nuk lejojnë asnjë parkim dysh apo të gabuar..Mbikqyrja që efektivëve iu bëhet nga eprorët është e imtësishme, një fakt të tillë e vërteton dhe pezullimi që i është bërë një efektivi të rrugores në fillim të muajt nëntor pasi dy makina kishin parkuar dysh duke i shpëtuar vigjilencës së tij çka ka sjellë dhe marrjen e masës disiplinore nga drejtuesit.