Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë ka rrëzuar kërkesë padinë e ngritur muaj më parë nga një grup këshilltarësh bashkiak të djathtë lidhur me vendimin e KB Durrës datë 25.06.2024 “Për përcaktimin e zonave të administrimit të parkimit dhe tarifave të shërbimit të parkimit me pagesë në rrugë dhe sheshe në territorin e Bashkisë Durrës”.
Vendimi i gjykatës është marrë muajin e kaluar, më datë 28 janar, ndërsa “DurrësLajm” po e publikon të plotë argumentimin e gjykatësve administrativë.
“Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se pala e paditur (bashkia Durrës) nuk konstatohet se ka shkelje të formës dhe procedurës, të cilat të kenë ndikuar në nxjerrjen e aktit, si dhe nuk cënohet interesi publik me nxjerrjen e tij. Vendimi nr.66, datë 25.06.2024 është nxjerrë në përputhje me ligjin dhe është rezultat i një procesi të rregullt dhe transparent, ku janë respektuar të gjitha procedurat ligjore të konsultimit publik dhe miratimit nga Këshilli Bashkiak dhe ky akt normativ është i ligjshëm dhe i themeltë. Përfundimisht, pretendimet e palës paditëse, vlerësohen nga Gjykata Administrative e Apelit si të papërligjura, dhe gjykata vlerëson se padia e paraqitur nga pala paditëse është një padi e pabazuar në ligj dhe në prova, e për pasojë duhet të rrëzohet”.
Në vendim, gjykata përcakton se palët në proces mund t’i drejtohen “Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë”, për rekurs brenda 30 ditëve.
Kujtojmë se, bashkia Durrës vitin e kaluar ka propozuar miratimin e zonave të administrimit të parkimit, të cilat do të jenë zona A & B, në të cilat parkimi i automjeteve në rrugë do të bëhet kundrejt pagesës, në varësi të periudhës së qëndrimit. Tarifat e propozuara për parkimin në rrugë me pagesë për zonën A do të jetë 100 lekë/ora dhe për zonën B do të jetë 40 lekë/ora.
Zona A përfshin vendndodhjet me ngarkesën më të madhe me ndërveprime intensive tregtare, financiare, institucionale apo sociale. Zona B përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbimet tregtare, financiare, institucionale, me intensitet mesatar.
Për të lexuar vendimin e plotë klikoni dokumentin e mëposhtëm: