I hapur në ditët e para të vitit 2026, parkimi i ri publik me 396 vende, i ndërtuar pranë stacionit të trenit në Durrës, duket se nuk preferohet shumë nga qytetarët.

Automjetet e parkuara brenda tij janë shumë të pakta në numër, ndërkohë që në hapësirat e tjera publike pranë parkimit, automjetet “akomodohen” mbi trotuar.

Video e dërguar në redaksinë tonë dëshmon absurditetin e të gjithë kësaj situate.

Jo një, por disa automjete janë parkuar mbi trotuar, vetëm pak metra larg asaj që u prezantua si qendra multimodale e Durrësit dhe që pritet të jetë një nyje moderne që përfaqëson standardin e ri të qendrave të mobilitetit, siç e cilësoi kryebashkiakja Emiriana Sako ditën e inagurimit të saj.

Megjithëse parkimi që u ndërtua dhe menaxhohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është pa pagesë deri në fund të muajit janar, siç mëson “DurrësLajm” drejtuesit e mjeteve nuk preferojnë të parkojnë brenda tij, por në trotuar.

Ditët e para të funksionalitetit të këtij parkimi u shënjuan nga një ngjarje tragjike, pasi roja i tij u përplas për vdekje nga një automjet dhe humbi jetën në vendngjarje.

Hyrja dhe dalja e automjeteve në parkim është në kënd pingul me rrugën “Mars 91”, gjë që pritet të krijojë rradhë të gjatë mjetesh dhe trafik të rënduar në një nga akset hyrëse të qytetit.

M.B