11nëntor 2015 – Këshilltarët e Bashkisë së Tiranës po zhvillojnë një mbledhje me tone të ashpra në lidhje me pagesën për parkingjet. Sipas një plani të kryebashkiakut Erion Veliaj, në çdo zonë të kryeqytetit, qytetarët, si banorët, ashtu dhe ata që vijnë për hall apo për qejf në Tiranë, duhet të paguajnë në çdo moment parkimi.
Pavarësisht se deri dje parkimet publike, në rrugë apo lagje ishin pa para, parashikohet që çdokush që ka makinë të ndajë më vete pagesën mujore për të lënë makinën “të qetë”.
Këshilltarët e djathtë kanë kundërshtuar vendimin, duke thënë se në këtë mënyrë po gjobiten qytetarët. Sipas tyre, nuk mund të vendoset një pagesë vetëm me forcën e kartonëve, por pas konsultimit me vetë qytetarët. Edhe LSI e PDIU kanë kërkuar që të mos e votojnë pa pasur në detaje projektin. Kryebashkiaku Veliaj këmbëngul se për banorët rezidentë parkimi do të jetë falas, ndërsa nga ana tjetër deklaron se, nga zbatimi i projektit do të merren të paktën 1 mijë euro në ditë.
Diskutimet po vazhdojnë për këtë çështje tejet pikante për banorët e Tiranës.
/portali DurrësLajm/





