Policia Bashkiake e Durrësit, në vazhdimësi të aksioneve të saj të pandërprera, është përqendruar tashmë në brendësi të lagjeve të qytetit.

Pas ankesave të shumta të bëra në sallën e informacionit të këtij institucioni, efektivët kanë dalë në terren për të bërë të mundur lirimin e të gjitha hapësirave publike, që janë zaptuar nga qytetarë të pandërgjegjshëm.

Siç duket edhe nga pamjet e filmuara gjatë aksionit të fundit të zhvilluar ditën e premte në lagjen nr.8 te rruga “Aleksandër Goga”, punonjësit e policisë kanë liruar rrugën nga të gjitha bllokueset e parkingjeve që kishin vendosur banorët e zonës, si “zotër” të rrugës.

Kreu i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa, thotë për “DurrësLajm” se të gjitha hapësirat publike janë pronë e gjithë qytetarëve të Durrësit, dhe jo e disa individëve të caktuar e të papërgjegjshëm.

Në sajë të punës së vazhdueshme, ashtu siç dhe ka dëshmuar përgjatë gjithë akseve kryesore të qytetit, Policia Bashkiake po vijon në brendësi të lagjeve për t’i dhënë Durrësit dhe qytetarëve të tij, hapësirat e dedikuara për ta, por që me kalimin e viteve ishin zaptuar nga objekte, individë e tregtarë të ndryshëm.