Parku Ekologjik i Durrësit është një prej projekteve të përzgjedhura për një çmim prestigjioz të arkitekturës.

Lajmin e jep Kryeministri Edi Rama, i cili thotë se “Ecopark Durrës” është vlerësuar nga Komiteti përzgjedhës i Çmimit Mies van Der Rohe.

“Komiteti përzgjedhës i Çmimit Mies van Der Rohe ka vlerësuar transformimin e shkëlqyer të një gangrene urbane plehrash, që dikur i shërbente kronikave turpëruese për Shqipërinë në mediat e botës, në një flamur të inovacionit ekologjik dhe arkitekturor:

Kjo arritje tjetër e vlerësuar botërisht është vetëm dëshmia e radhës e vizionit fitues për këtë vend të Rilindjes Urbane dhe e pasionit e këmbënguljes sonë për ta ngjitur Shqipërinë në një majë të re”, njofton Rama.

Eco Park Durrës është një park i madh publik i ndërtuar mbi ish-landfillin e plehrave që ishte një problem serioz mjedisor për qytetin, shkruan Mies van Der Rohe, në prezantimin e projektit.

Vendi, prej vitesh përdorej si një vendgrumbullim i hapur ku mbetjet e ngurta janë grumbulluar pa asnjë mbrojtje, duke shkaktuar një problem serioz mjedisor. Ndërsa tani, “Eco Park Durrës”, me një dizajn të frymëzuar nga mozaiku “E bukura e Durrësit”, shërben si metaforë e shndërrimit të një vendi të ndotur në një hapësirë ​​publike për rekreacion dhe edukim mjedisor.