Parlamenti Evropian ka votuar me 459 vota pro dhe 112 kundër raportin e hartuar nga eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, për integrimin e Shqipërisë në BE. Mësohet se, raporti i raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian mori 62 abstenime.
Votimi me shumicën e votave "pro" për raportin, i jep Shqipërisë mbështetje rekomandimit për çeljen e negociatave me BE. Përmes një postimi në Twitter, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shkruan:
"Parlamenti Europian ka votuar me 459 vota pro në favor të raportit të vitit 2018 për Shqipërinë. Ky raport mbështet plotësisht rekomandimet e Komisionit Europian që lejon hapjen e negociatave në njohje të përpjekjeve për zbatimin e reformave të bëra nga Shqipëria".





