Parlamenti Europian miratoi me shumicë votash, kabinetin e ri të Ursula von der Leyen. 26 anëtarët e Komisionit të ri Europian morën mbështetjen e 370 votave, nga 361 të nevojshme. Në fjalën para eurodeputetëve, Von der Leyen premtoi se do të çojë përpara arritjet e saj gjatë mandatit të parë, ndër të cilat edhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.
“Kemi parë angazhim nga Ballkani Perëndimor në reforma, rritje dhe përgatitje për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.”
Megjithëse u tejkaluan mosmarrëveshjet e thella 4-mujore që rrezikuan shpërbërjen e shumicës mes Partisë Popullore, socialdemokratëve dhe liberalëve të grupimit “Renew Europe”, ato dolën sërish në pah. Një pjesë e eurodeputetëve të shumicës abstenuan ose votuan kundër. Ndërsa votat shumicën i bashkuan eurodeputetët e kryeministres italiane Xhorxhia Meloni në mbështetje të ish-anëtarit të partisë së tyre si një nga 5 zv/presidentët Rafaele Fitto.
Prania e tij përçau eurodeputetët demokratë të së majtës italiane. Mosmarrëveshjet u sheshuan edhe për zv/presidenten spanjolle Tereza Ribera, të cilën eurodeputetët e opozitës spanjolle e akuzuan fillimisht për përgjegjësi në përmbytjet e Valencias si ministre në vendin e saj për mjedisin.