· Indrit Hamiti: Vendimet e këshillit bashkiak duhet të jenë të sakta dhe jo copy paste i vendimeve të qeverisë, në mënyrë që paketa fiskale të jetë një instrument i aplikueshëm saktësisht dhe të mos lërë vend për abuzime
DURRËS, 30 janar 2014 – Këshilli Bashkiak i Durrësit, një javë pas konsultimit me grupet e interesit, miratoi pasditen e 29 janarit 2014 ndryshimet e fundit në paketën fiskale 2014, duke i hapur rrugë diskutimit të projekt-buxhetit të këtij viti. Në mbledhjen e parashikuar, e cila zgjati vetëm 20 minuta, shumica e majtë miratoi ndryshimet e detyruara, që vijnë në përputhje me përcaktimet e paketës fiskale të qeverisë, lidhur me “taksën mbi ndërtesën”, si dhe ndryshimet në “tatimin e thjeshtuar mbi fitimin”, për biznesin e vogël”. Me 26 vota pro vetëm të koalicionit të majtë dhe me vota kundër të koalicionit të djathtë, janë miratuar ndryshimet në paketën fiskale të 2014, që erdhi për herë të dytë në këshillin bashkiak të Durrësit. Në mbledhje u miratuan edhe ndihma ekonomike e muajit dhjetor 2013, si dhe pagesa e paaftësisë për muajin janar 2014. Në qytetin e Durrësit janë rreth 560 familje që përfitojnë ndihmë ekonomike.
SHUMICA
Zhulien Varfaj
Në mungesë të kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, një nga dy zëvendësit e tij, Zhulien Varfaj, mbrojti projekt-vendimin e paraqitur para këshilltarëve. Varfaj deklaroi se bashkia ka rritur shërbimet dhe cilësinë e tyre dhe kjo vihet re në këtë paketë që vjen në këshillin bashkiak. Sipas Varfajt, ndryshimet ishin të detyrueshme, pasi ashtu parashikonte ligji. Pavarësisht se ishte në një mendje me disa nga qëndrimet e opozitës, ndryshimet ishin të detyrueshme, pasi ashtu parashikonte ligji.
Gëzim Agasi
Kryetari i komisionit të financës, buxhetit, taksave, tarifave, këshilltari socialist Gëzim Agasi, duke folur mbi projekt-vendimin e sjellë për miratim nga administrata e bashkisë së Durrësit, tha se ndryshimet në paketën fiskale konsistojnë te biznesi i vogël, ku ka ndryshuar klasifikimi i tij. Për biznesin që ka xhiro vjetore nga 0 deri në 2 milionë lekë taksa vjetore është 25 mijë lekë në vit, ndërsa nga 2 milionë deri në 8 milionë tatimi bëhet me 7.5 për qind. Ndryshim tjetër është për taksën e ndërtesës, ku për tregtinë dyfishohet taksa për metër katror.
OPOZITA
Indrit Hamiti
Duke qenë se propozimet për ndryshime në paketën fiskale konsistonin kryesisht në rritjen e taksave për pronat dhe kryesisht ato në zonat turistike dhe në fshatrat turistike, ish-kryetari i këshillit bashkiak Indrit Hamiti kërkoi nga administrata e bashkisë të saktësojë se cilit dokument do t’i referohet për ta quajtur ose jo një zonë turistike. Deri më sot, përveç planit rregullues të vitit 1987, nuk ka një dokument të miratuar që ta përcaktojë një zonë si të tillë, brenda kufijve administrativë të bashkisë së Durrësit, tha arkitekti i njohur Hamiti. Është plani i përgjithshëm vendor ai që ka bërë zonifikimin e qytetit dhe pritet që ky plan të vijë i firmosur në bashki. Por, për sa kohë ky plan nuk ka ardhur, mbi ç’kritere do t’i mbledhë bashkia taksat e këtyre pronave? Nga ana e administratës u sqarua që ndryshimet bëhen në funksion të vendimeve të reja mbi sistemin e taksave në Republikën e Shqipërisë, por Hamiti ndërhyri, duke deklaruar se vendimet e këshillit duhet të jenë të sakta dhe jo copy paste i vendimeve të qeverisë, në mënyrë që paketa fiskale të jetë një instrument i aplikueshëm saktësisht dhe të mos lërë vend për abuzime. Ish-kryekëshilltari Hamiti dhe votën e tij kundër rritjes faktike të taksave për qytetarët.
Armand Teliti
Përfaqësuesi i opozitës, ish-kryetar i këshillit të qarkut, Armand Teliti, tha se ndryshmet e bëra për biznesin e vogël nga qeveria kanë sjellë dyfishim të taksave, dhe biznesi më i vogël është më i penalizuar. Ndërkohë biznesi i vogël po goditet edhe nga dyfishimi i taksës së ndërtimit, që përdoret për tregti, pavarësisht propagandës së qeverisë për heqjen e taksës për biznesin e vogël. Po goditet biznesi edhe me taksën e dyfishuar të ndërtimit, dhe pasojat do të duken në mbledhjen e detyrimeve gjatë vitit, vërejti Teliti. Pavarësisht propagandës për uljen e taksave, ato janë rritur dhe e rëndojnë edhe më shumë biznesin. Taksa e ndërtesave është dyfishuar dhe kjo rritje rëndon mbi biznesin, deklaroi Teliti. Këto ndryshime në paketën fiskale janë pasqyrim i vullnetit të mazhorancës qeverisë, që uljen e taksave e kanë propagandë.
Në foto: Në plan të parë, djathtas, kryetari i këshillit të qarkut, kryetar i degës së PS-së Durrës Alfred Mullaraj duke medituar apo është bërë me dhembje koke nga diskutimet e opozitës së djathtë në mbledhjen e këshillit bashkiak të Durrësit më 29 janar 2014
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





