Irani ka reaguar me zemërim ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015
Ligjvënësit iranianë kanë djegur flamurin amerikan duke bërtitur në parlamentin iranian “Vdekje për Amerikën”.
Kryeparlamentari iranian, Ali Larijani, ka thënë se përgjegjësia për ruajtjen e marrëveshjes ka rënë në Bashkimin Evropian dhe fuqitë tjera që janë ende pjesë e paktit.
“Vendimi i Trumpit për të braktisur marrëveshjen bërthamore ka qenë shfaqje diplomatike, Irani nuk ka obligim për të përmbushur detyrimet e saj në situatën aktuale”, ka thënë Larijani para parlamentit në Iran.
“Është e qartë se Trump e kupton vetëm gjuhën e forcës”.
Lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë përmes faqes së tij zyrtare se Trump “ka gabuar”.
Më 8 maj, presidenti Trump njoftoi se do të rikthejë sanksionet ekonomike ndaj Iranit duke u larguar nga pakti të cilin e ka cilësuar “marrëveshje të njëanshme e cila nuk është dashur të krijohej kurrë”.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015, shtetet nënshkruese janë zotuar për tërheqje të sanksioneve ndaj Iranit në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor të kësaj të fundit.
Franca ka thënë se marrëveshja bërthamore “nuk ka vdekur” pavarësisht tërheqjes së SHBA-së. /rel