Megjithë apelet e aktivistëve të drejtave të njeriut dhe të disa ministrave të Jashtëm evropianë, Kneseti miratoi një projektligj që parashikon dënimin me vdekje për terroristët.

Parlamenti izraelit miratoi një projektligj për vendosjen e dënimit me vdekje për terroristët. 62 nga 120 deputetët e Knesetit votuan pro kësaj nisme shumë të diskutueshme të partisë Otzma Jehudit, e cila udhëhiqet nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir. 48 deputetë votuan kundër, ndërsa pjesa tjetër mungoi ose abstenoi. Pro projektligjit votoi edhe kryeministri konservator Benjamin Netanjahu.

De facto preken vetëm palestinezët
Kritikët e konsiderojnë ligjin si racist, pasi në praktikë prek kryesisht palestinezët. Sipas projektligjit palestinezët që dënohen nga gjykatat ushtarake në territoret e pushtuara për vrasje me motiv terrorist, mund të përballen me dënim me vdekje, pasi gjyqtarët do të detyrohen ta shqiptojnë atë në raste të tilla. Vendimi mund të apelohet. Në rast dënimi, ekzekutimi duhet të kryhet brenda 90 ditëve me varje nga një roje burgu.

Sipas projektligjit një person i dënuar për vrasje me motiv terrorist me qëllim shkatërrimin e shtetit të Izraelit mund të dënohet në gjykatat civile në Izrael me vdekje, ose me burgim të përjetshëm.

Izraeli e kishte shfuqizuar dënimin me vdekje për vrasje në vitin 1954. Megjithatë ligji izraelit vazhdonte ta lejonte këtë dënim në raste të caktuara, si p.sh. për kriminelët nazistë ose për tradhti gjatë luftës. Ekzekutimi i kriminelit nazist gjerman Adolf Eichmann në vitin 1962 ishte rasti i fundit kur u zbatua një dënim me vdekje i dhënë nga një gjykatë në Izrael.

Thirrjet e ministrave evropianë pa efekt
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, dhe homologët e tij nga Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar shprehën në një deklaratë të përbashkët të dielën (29.03.) “shqetësim të thellë” për këtë projektligj.

“Dënimi me vdekje është një formë çnjerëzore dhe poshtëruese ndëshkimi, pa asnjë efekt parandalues,” thuhej në deklaratë. “Prandaj ne e kundërshtojmë dënimin me vdekje në mbarë botën, në çdo rrethanë.” Berlini, Parisi, Roma dhe Londra u bënë thirrje autoriteteve izraelite që të heqin dorë nga këto plane./DW