Parlamenti ka miratuar një kërkesë të Këshillit të Ministrave për të kaluar me procedurë të përshpejtuar një projekt-ligj për armët dhe municionet. Drejtuesja e seancës plenare, Ermonela Felaj, deklaroi se në seancën e 25 Korrikut do të bëhet shqyrtimi i këtij projektligji.
Ermonela Felaj: Dëshiroj të ju njoftoj se nga Këshilli i Ministrave na është kërkuar shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake. Projektligji njoftohet në seancën më të parë plenare.
Për këtë draft, komisioni përgjegjës do të jetë ai i Sigurisë Kombëtare, ndërsa për dhënie mendimi do të jenë Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni i Ekonomisë.
Toni Gogu, nënkryetar i grupit të PS: Rregullorja është e qartë. Një folës pro dhe një folës kundër. E kuptoj garën që ka mes kolegëve opozitarë dhe e kuptoj që procedurialistët dalin mbi procedurialistët. Rregulloja e Kuvendit ka parashikuar që është në diskrecionin e Këshillit të Ministrave t’i kërkojë Kuvendit një procedurë të përshpejtuar. Ka sjellë një projektligj të ri. Do keni gjithë kohën që ta shqyrtoni në komision, ta denonconi në mitingjet tuaja. Sot kjo seancë plenare ka diskrecionin të vendosë. Ju lutem drejtuese e seancës vazhdojmë me votimin.
Opozita e kundërshtoi kalimin me procedurë të përshpejtuar të këtij pr/ligji.
Gazment Bardhi: Sa i takon kërkesës së Këshillit të Ministrave për procedurë të përshpejtuar, na njoftoni për tregtimin e armëve për ta ditur dhe ne. Ne duam të dimë se çfarë nevoje ka prezantuar në kërkesë Këshilli i Ministrave. Pa ditur motivet që ka parashtuar në kërkesë Këshilli i Ministrave, nuk mund të japim opinionin tonë për këtë çështje.
Jorida Tabaku: Tani kërkoni përsëri parlamentin që të mblidhet. Unë besoj se është mëse normale për një ligj që ka shumë debat, prek shumë interesa dhe është i përafruar me legjislacionin amerikan. Unë nuk gjej arsye tjetër pse sot duhet të ndryshojë ligji i armëve. Kush është arsyeja që ligji i armëve të ndryshohet?