Në Shqipëri, dy grupet më të mëdha parlamentare, ai i shumicës socialiste dhe ai demokrat, i përfaqësuar nga deputetët e opozitës që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, arritën sot një dakortësi në parim, e cila pritet t’i japë fund tensioneve dhe ngërcit të gjatë në punimet e parlamentit.

Ngritja e dy komisioneve hetimore parlamentare, si dhe krijimi i një strukture të posaçme parlamentare për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë tre të pestat e votave, janë çështjet për të cilat palët do të punojnë për t’i finalizuar në 24 orët e ardhshme.

Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë përshëndetën “rikthimin e normalitetit në parlament”.

Pas gati 5 muajsh, përgjatë të cilëve, debati parlamentar u mbizotërua nga skenat e tymueseve, zhurmës dhe përplasjeve, institucioni më i rëndësishëm i vendit, mund t’i rikthehet normalitetit.

Një takim informal javën e shkuar mes krerëve të grupeve parlamentare, u pasua sot nga Konferenca e kryetarëve, e cila u mblodh me praninë e të gjitha palëve. Në fund të saj, gjithëkush u duk i kënaqur.

“Eshtë një lajm i mirë që pas muajsh rezistencë të deputetëve të opozitës, për këtë arrogancë të shfaqur në seancën e datës 12 tetor nga ana e shumicës, këta të fundit kanë reflektuar”, deklaroi pas mbledhjes kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi.

Homologu i tij socialist Bledi Çuçi, ka megjithatë një tjetër lexim: “Ata zgjodhën që të iknin nga organet e parlamentit dhe të bëjnë atë aksion, për të cilin tashmë besoj se janë të bindur se nuk i çon asgjëkundi. Tani të hyjmë në një jetë normale parlamentare”.

Opozita pengoi punimet e parlamentit, duke protestuar ndaj refuzimit të kërkesave të saj për ngritjen e disa komisioneve hetimore. Sot palët ranë dakort që të ngrihen dy komisionet që u rrëzuan nga shumica në seancën e 12 tetorit të kaluar. “Kemi rënë dakort në parim, për pranimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për kontratat koncencionare korruptive në sektorin e shëndetësisë. Kemi rënë në parim dakort për ngritjen e komisionit hetimor për ndërhyrjen e paligjshme në të dhënat personale të sitemit TIMS”, shpjegoi zoti Bardhi.

Por për zotin Çuci, opozita po plotëson “atë që ne kemi thënë e po i prisnim prej katër muajsh, që të rregullojnë objektet e dy komisioneve hetimore që ata vetë propozuan se cilët janë. Lamë një grup të përbashkët që të merret me rregullimin e objektit për ta sjellë atë sipas kërkesave të bëra dhe nga ligji i ndryshuar i komisioneve hetimore”.