26nentor 2015 – Pasi kanë kaluar gati 2 vite e gjysmë nga zgjedhjet e vitit 2013, parlamenti nuk po sistemohet dot. Fillimisht largimi i deputetëve që u zgjodhën ministra e më tej implikimi i tyre në disa vepra penale ka bërë që ata të zëvendësohen me emra të tjerë, duke sjellë herë pas herë prurje të shumta, por dhe më nga të çuditshmet. E fundit i takon lënies së mandatit nga ana e Mark Frrokut, deputetit të PKD-së, i arrestuar për një vrasje në Belgjikë. Ndërsa mandati i tij po diskutohet në Kushtetuese, vetë Frroku, ka bërë të ditur faktin e lënies së tij.
Sipas rregullores, radha i takon personit të dytë në listën e kandidatëve për deputetë, që në fakt i përket vëllait të Frrokut, Arben Frrokut, i dënuar përjetë nga Gjykata e Apelit për vrasjen e komisar Dritan Lamajt. Frroku është në kërkim për këtë çështje. Personi i tretë në listën e deputetëve të PKD-së në Qarkun e Shkodrës është Mirela Ferracaku.
Me zgjidhjen e saj, parlamenti do të hapë dyert për deputetin e tretë më të ri në javët e fundit. Fillimisht ishte Eduard Ndocaj, kaubojsi nga Lezha, i zgjedhur nga PDK e së fundi deputeti nga Durrësi, Jurgis Çyrbja, i cili zëvendësoi ministrin Blendi Klosi. Së fundi, listës së 140 deputetëve i shtohet Ferracaku.
/portali DurresLajm/