TIRANE, 22 dhjetor 2013  – Gjatë seancës së Kuvendit ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i qeverisë Edi Rama kanë shkëmbyer batuta e ironi me njëri-tjetrin. Pas paraqitjes së pr/buxhetit 2014 nga kryeministri Rama, zoti Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të tij. Por kryeministri ka preferuar t’i ironizojë sulmet e praardhësit të tij. 
Berisha: “Paraqitja e buxhetit, llogore e pafundme e zotit Rama. Pata një mori mesazhesh që më thonë se nuk ka psiqiatër që e kuron, se në mendjen e tij të sëmurë është e ngulitur një Kushtetute që i thotë atij unë dhe bota. Ajo pjesa që më neveriti më shumë ishte pjesa për trashëgiminë kulturore, kur ti i vodhe Thimos si hajdut ordiner ikonat. Korçarët më thonë se Peleshin e bëri zv/kryeministër i ndjeri Vangjush Mio me pikturat e tij, për të cilat Koçoja përjargej para nudove të Mios. Vetëm për buxhet nuk u fol këtu. Këtu u fol për opozitën. Në mendjen e tij ekziston tmerri dhe ferri i opozitës, dhe s’foli asgjë për 1 mln të papunë për të cilët është shprehur mijëra e mijëra herë. E falënderoj zotin Rama se s’bëri gjë tjetër veçse faktoi para shqiptarëve dhe botës e ka me urgjencë mjekimin në një klinikë psikiatrike. 
Rama: “Sali Efendi, zotrote mua më heq mallin e Albert Verrisë tek filmi “Koncert në vitin ‘36” e mban mend atë plakun që donte të prishte koncertin, shyqyr që të kemi se kujtojmë dhe Albertin e shkretë. 
Berisha: “Je ulur në atë vend je bërë synet politik. Ata që të bënë synet politik të hoqën dhe forcën e fundit të burrit ty. Prandaj çfarëdo që të thuash je krejtësisht bosh. Ajo që paraqite ishte mjerim, sa që edhe Caci besnik gajasej. U tregove shqiptarëve se kartolina që u çon për vit të ri është kartolina e mjerimit, mashtrimit, ndërsa buxheti që paraqite ka vdekur para se të lindë. 
Rama: Sali Efendi unë nuk e dija qe je marrë me synete, e dija që je marrë me zemrën. Kjo ishte një surprizë për mua, por ndoshta e mban mend kur të kanë bërë synet para se të të merrnin në Bllok. 
Berisha: Unë them synet politik, se për atë tjetrin dihet. 
Meta: Ju lutemi se nuk jemi në portokalli këtu, jemi në Kuvend. Ju lutem më me etikë. 

/balkanweb/