12 shkurt 2015 – Pamundësia për shlyerjen e borxheve të akumuluara në vite ishte arsyeja kryesore e largimit të Dastraso Holding nga drejtimi i klubit të Parmës. Sipas mediave italiane, kompania ruso qipriote dhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi nuk arritën të mbyllin dot boshllëkun financiar të krijuar nga verdheblutë, pavarësisht se në medie, më shumë se njëherë kishin shprehur dëshirën e mirë për t'i dhënë siguri në planin ekonomik, njërit prej klubeve më me emër në Itali.
Mediat italiane raportojnë se borxhi që ishte trashëguar nga ana e Ghirardit te Dastraso Holding e tejkalonte shifrën e 96 milion eurove, shumë e cila u rrit akoma më tepër dhe gjatë 2 muajve të Dastraso Holding, për shkak të pagave të fryra që kishin lojtarët verdheblu, të cilat nga 30 qershori 2014 ishin rritur nga 43.5 milion euro në 52 milion euro, për vetëm një vit kalendarik.
Përpjekjet për të përforcuar ekipin gjithashtu me blerje nuk rezultuan efikase as në fushë, pavarësisht se grupi që përfaqësohej me president Ermir Kodra u përpoq t'i jepte qetësinë e nevojshme për të punuar ekipit të Donadonit.
Pasiguria për të ardhmen dhe për të shpëtuar klubin emilian detyroi Dastraso Holding të largohet nga drejtimi duke i kaluar maxhorancën kompanisë së drejtuar nga Giampiero Manetti, që u emërua gjithashtu dhe president i klubit.





