DURRËS, 20 shkurt 2014 – Partia Fryma e Re Demokratike ka nxjerrë më 20 shkurt 2014 numrin e parë të organit të saj, gazetës “Fryma e Re”. Me kët rast, kryetari i FRD Bamir Topi deklaroi se ky është një instrument i forcës politike që ai drejton, dhe një moment i ri për të. Duke uruar një fillim të mbarë, Topi tha se “kjo gazetë nuk është një fletushkë politike. Do kemi mundësi të shpalosim linjën tonë politike”. Topi tha se “dalja e gazetës ishte e domosdoshme, pasi shqiptarët kanë nevojë të mësojnë të vërtetën”. Ditën e përkujtimit të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, ish-Presidenti i Republikës, një nga liderët kryesorë të PDSH-së, Bamir Topi, vuri në dukje se “bustet janë rrëzuar, por diktatorët jo”. Duke folur për “Frymën e Re”, kryetari Topi u shpreh se gazeta “nuk do jetë në formën dhe karakterin e një fletushke politike, por do të ketë rubrika të ndryshme. Do ketë akses për të gjithë ata që kanë një raport specifik me të vërtetën. Ne do të shpresonim mjaft kamera e gazetarë sot më shumë se kurrë, por kemi më pak kamera se asnjëherë tjetër. Kjo e bën më të domosdoshme daljen në treg të gazetës “Fryma e Re”. Në Shqipëri nuk është se ka ndonjë ndryshim shumë të madh. Njerëzit kanë shpresuar të ketë rotacion dhe pas rotacionit diçka do të lëvizë. Të gjithë janë të prirë ta kapin të vërtetën, ta fshehin dhe ta deformojnë. Të gjithë e dimë fare mirë se, kur një lajm nuk duhet të dalë, telefonatat nuk mbarojnë deri në orët e vona kur mbyllet gazeta. Ne dëshirojmë të jemi të vërtetë. E vërteta nuk është iluzive. E vërteta shumë shpejt del në shesh. Kjo është një vepër e drejtpërdrejtë e njerëzve të letrave dhe gazetarëve profesionistë, që në formacionin tonë politik janë shumë”.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/