Partia Socialiste ka çelur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, me një aktivitet që vë në fokus gratë dhe vajzat në politikë. Nën moton “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, eventi u mbajt në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku ishin të pranishme përfaqësuese nga strukturat e PS-së, por edhe gra dhe vajza kandidate në zgjedhje.
Gjatë takimit u realizuan lidhje direkte me përfaqësuese nga 11 qarqet e tjera të vendit, ndërsa në fjalimet e mbajtura u theksua rëndësia e rolit të gruas në politikë dhe nevoja për vazhdimësinë e reformave.
Ky aktivitet shënon nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore për Partinë Socialiste, e cila synon mandatin e katërt qeverisës, duke vënë theksin tek vizioni për Shqipërinë në horizontin e vitit 2030.