Partia Socialiste ka çelur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 11 majit me një tubim festiv në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Aktiviteti nisi me këngë, valle dhe performanca nga artistë dhe grupe kërcimtarësh, ndërsa kryeministri Edi Rama mbërriti i veshur sportivisht, duke i dhënë një ton joformal hapjes së fushatës.
Data e aktivitetit, 12 prill, mban një simbolikë të veçantë për socialistët, pasi lidhet me numrin 12, që i referohet edhe 12 yjeve në flamurin e Bashkimit Europian. “12 prill nga 12 qarqe, rreth 12 yjeve të Europës, në orën 12:00, familja jonë e madhe politike mblidhet në Sheshin Skënderbej për takimin festiv ‘Shqipëria 2030 në BE’”, ishte paralajmërimi që Rama bëri më herët në rrjetet sociale.
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është fokusi kryesor i fushatës së PS, ndërsa gjatë tubimit pritet edhe fjalimi i kryesocialistit Rama, i cili do të përcjellë mesazhin për një fitore të qartë dhe të thellë në zgjedhje.
Vetëm një ditë më parë, Rama zhvilloi një takim me gratë socialiste në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit. Gjatë fjalës së tij, ai vlerësoi rolin e grave në organizimin e partisë dhe në fitoren elektorale, duke theksuar se vota e tyre do të jetë vendimtare. Ai deklaroi gjithashtu se beson se Shqipëria do të ketë një ditë një kryeministre grua dhe se ajo do të vijë nga radhët e Partisë Socialiste.