Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri të ditur se Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, pas shfuqizimit të dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor.
Në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se 55 deputetë kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e kreut të shtetit.
"Zoti Ilir Meta ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë në pëlqimin tonë. Natyrisht që ne socialistët nuk i përkasim kulturës politike të arbitraritetit dhe dhunimit të ligjit. Ne do të ndjekim në mënyrë rigoroze procedurë e parashikuar në rastin e shkarkimit të Presidentit. Përpara se të shkojë për votim kuvendit shkarkimi i metës nga detyra do të vlerësohet nga një komision i posaçëm hetimor. Është e qartë se votimi i kuvendit në rast se propozimi për shkarkimin do të marrë më shumë se 2 të 3 e deputetëve, pra 94 vota, do shkojë për vlerësim Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka përgjegjësinë që do të jetë ajo që do thotë fjalën e fundit për shkarkimin e presidentit. Pas bën vlerësimin e arsyeve që e detyron Kuvendin të hedhë një hap kaq të jashtëzakonshëm. I kujtoj zotit Ilir Meta, kërkesën e bërë kuvendit lidhur me nevojën urgjente respektimi të detyrës së lartë dhe respektimit të Kushtetutës. Kemi vënë re me keqardhje që ai nuk ka reflektuar po ka sulmuar kuvendin me një gjuhë të papranueshme që presidenti përfaqëson.
Kuvendi as nuk intimidohet, kurrsesi nga askush por i kujton Ilir Metës se as ai dhe as ata që braktisën kuvendin dhe tentuan ta djegin me flakadanë nuk kanë asgjë në dorë vetëm nivelin e dinjitetit të tyre. Përsa kohë është ende presidenti zoti Ilir Meta duhet të mos na turpërojë të gjithëve duke ulur nivelin e presidencës së tij në kufirin minimal të etikës shtetërore sa herë i jepet mundësia të hapë gojën. Në lidhje me shkeljet e kushtetutës, dekreti për anulimin e zgjedhjeve vjen në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një republike parlamentare të funksioneve të presidentit të parashikuara nga kushtetuta.
Së pari është cënuar rëndë parimi i ushtrimit të sovranitetit nga populli. Kushtetuta parashikon se sovraniteti i përket popullit. Me dekretin e anulimit të zgjedhjeve, Presidenti i ka hequr sovranit të drejtën për të qenë i tillë. Ushtrimi i kompetencave sovrane materializohet dhe merr kuptim vetëm në ushtrimin e të drejtës së zgjedhjeve vendore, parlamentare apo edhe të ushtrimit të të drejtës për referendum. Këto janë tre momente kur sovrani sillet si i tillë. Anulimi i datës 30 qershor dhe më e rëndë akoma, mos caktimi i një date tjetër mohon të drejtën e sovranit për të qenë i tillë. Anulimi dhe mos caktimi i një date të re është një hap zhbën autoritetin sovran. Nëpërmjet një akti administrativ i heq atij të drejtën për të qenë i tillë. Akti merr atribute sovranit, duke e barazuar presidentin me sovranin.
Dalja tej këtij parashikimi që cënon periodicitetin e të zgjedhjeve është një sjelle arbitrare që synon marrjen e kompetencave sovrane. Nëpërmjet këtij akti është shënuar dalja tej kompetencave të dhëna me kushtetutë dhe duke vepruar si autoritet sovran i pakontrolluar. Sovrani ka përcaktuar se kur do të mbahen zgjedhjet. Nuk mundet asnjë autoritet tjetër veç tij, apo ata që janë zgjedhur prej tij të përcaktojnë një datë tjetër të mbajtjes së zgjedhjeve apo me keq akoma të mos mbajtjes së tyre. Me aktin e anulimit të zgjedhjeve presidenti është duke sjellë në pozitën e një pushteti absolut dhe vepron përtej kompetencave të tij të dhëna nga vetë sovrani nga vetë kushtetuta."





