Në mbledhjen e drejtuar nga Taulant Balla, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për noterinë. Ndërkohë, ata kanë vendosur të rishikojnë ligjin për kadastrën, të kthyer për shqyrtim prej Presidentit.

Ligjvënësit e PS-së nga ana tjetër kanë vendosur të rrëzojnë amendamentet e LSI-së në lidhje me buxhetin. Në dhjetor, LSI kishte kërkuar që buxheti për arsimin të rritej në 5% të GDP-së.

Me Dekretin nr. 11054, datë 14.01.2019, Presidenti i Republikës vendosi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.110/2018 “Për noterinë”, me qëllim rishqyrtimin e neneve 61, 65 dhe 76 të këtij ligji.

Sipas Presidencës, përmbajtja e nenit 61 të ligjit “Për noterinë”, nuk është i qartë dhe në harmoni me disa nene të tjera të këtij ligji. Gjithashtu sipas presidentit në ligj nuk garantohet trajtimi i barabartë i noterëve përballë kostos që duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre dhe nuk ofrohet siguri ligjore për mbrojtjen dhe mbështetjen e shtresave të pamunduara të shoqërisë.

Po kështu pas ligjit “Për noterinë”, Presidenti Meta nuk kaloi as ligjin “Për kadastrën”. Kreu i Shtetit dekretoi kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij por pak ditë më pas kreu i ALUIZNI-t Artan Lame e quajti të paargumentuar kthimin nga Presidenti. Lame deklaroi se në 14 faqe të Presidencës kundër ligjit nuk kishte asgjë dhe asnjë argument.