Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nisur sot konsultimet me krerët e partive politike për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Takimet kanë nisur prej mëngjesit të sotëm, ku në presidencë, kanë mbërritur kryetarë apo përfaqësues të partive politike në vend.
Për opozitën duket se 18 prilli është data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, datë kjo e artikuluar prej nënkryetarëve të Partisë Republikane dhe Agrare Ambientaliste, në një prononcim për mediat, në përfundim të takimit me Presidentin Meta.
Ndërkohë që kryedemokrati Lulzim Basha, i shoqëruar nga Oerd Bylykbashi, do të zhvillojë takimin me Metën në orën 12:00, për t’i lënë radhën takimit me zëvendëskryetarin e LSI, Luan Rama, në orën 12:30.
Sakaq maxhoraca duket se është e gatshme të shkojë në zgjedhje në cdo datë që do të përcaktojë Presidenti i Republikës, me përjashtim të 2 majit e cila përkon me festën e Pashkëve ortodokse.
Në këtë takim Rama, shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i cili nuk ka nguruar të shprehë disa herë preferencën e tij, për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare më 9 maj, datë që përkon me Ditën e Europës.





