Partizani fitoi me lehtësi me shifrat 4-1 në stadiumin “Air Albania” kundër Atlètic Club d’Escaldes dhe kualifikohet në turin e tretë të Conference League.
Pas ndeshjes trajneri Zoran Zekiç, analizoi paraqitjen e ekipit, ndërsa theksoi se duhet të luanin më mirë.
Paraqitja – “Mund të them faza ofensive kishte shumë shanse, por nuk shënuam shumë. Megjithatë, kishim shumë, shumë probleme taktikisht, ndërrova sistemin e lojës pas 5 minutash. Ishim shumë të hapur dhe ishim vonë, se skuadra kundërshtare nuk la hapësira. Mund të jem i lumtur për rezultatin, por nuk do të fle sot se duhet të punoj shumë e mendoj si të përmirësohemi për ndeshjen tjetër. Sinqerisht, nuk mund të luajmë kështu në Europë”.
Valmeira – “Nuk kemi shumë mundësi për lëvizje, kemi 10 ditë në dispozicion. Nuk e kam parë Valmierën, por di që ka luajtur kundër Olimpija Ljubljanës dhe është ekip serioz. Kam miq atje dhe do të pyes. Duhet të jemi më kompakt e me disiplinë. Për ne në këtë moment ndeshja ndaj një kundërshtari si sot, është shumë, shumë i vështirë”.
Formacioni kundër d’Escaldes – “E pashë pas 5 minutash që kishim shumë probleme. Duhej të kishim një lojtar më shumë në mes të fushës. Por duhej të bënim më shumë lëvizje. Vendosa Rrapajn të mbështeste Hadrojn dhe pastaj numrin 6 që të mbështeste këtë linjë. Nuk ishim të përgatitur për topin e gjatë. Ne humbëm Mensah, një ditë më parë u dëmtua edhe Maguette. Ai duhej të luante, por do të sillte probleme ndaj bëmë rotacion”.
Ëndrra play-off – “Nëse dhurojmë të njëjtën përformancë si ndaj BATE Borisov, mendoj se kemi më shumë shanse për kualifikim. Ne kemi shanse të mira, por duhet të kemi energji, të luajmë më mirë dhe në pozicion. Skuadra e ka treguar se mund të luajë kështu. Por kemi edhe probleme të tjera. Shpresojmë se kemi disa ditë për ta përgatitur këtë ndeshje”.





