Partizani zhvilloi një ndeshje të nivelit të lartë në premierë të Champions League, por nuk shkoi më tepër se një barazim 1-1 kundër BATE Borisov në “Air Albania”.

Trajneri Zoran Zekiç, u shfaq i kënaqur me performancën e ekipit të tij, por theksoi se meritonin më tepër. 

“Skuadra dha gjithçka në fushë. Kishim përballë një kundërshtar që vinte me 13 ndeshje në këmbët e tyre. Në pjesën e parë bëmë presing ofensiv mjaft lart. Në të dytën kishim rastet tona, por nuk duhet të na vijë keq për atë që skuadra prodhoi në fushën e lojës. Jam i kënaqur me atë që lojtarët dhanë në fushën e lojës.

Për ndeshjen e kthimit kemi 7 ditë për ta përgatitur. Do punojmë shumë për taktikat e ndeshjes. Mendoj se lojtarët dhanë 100% të mundësive të tyre. Kishim vetëm 25 ditë për ta përgatitur ndeshjen. Mund të bënim mirë sa i përket anës së sulmit, por gjithçka na mbetet për ndeshjen e kthimit.

Mund të bënim edhe më mirë, por isha i detyruar të ndryshoja sistemin e lojës, sepse Mehmeti shfaqi probleme. Kishim probleme në krahun e djathtë, sepse edhe Hadroji shfaqi probleme, pavarësisht se unë i fola gjatë gjithë kohës të ishte i përqendruar të kundërshtari”, tha Zoran Zekiç për mediat.