Partizani nis sot aventurën europiane me synimin për të shkuar sa më larg.
Kundërshtari në turin e parë të Champions League, është BATE Borisov, një emër i madh, por në kampin e kuq nuk i druhen.
Trajneri i Partizanit, Zoran Zekiç, në konferencën për shtyp para sfidës deklaroi se e ka përgatitur me detaje këtë përballje me qëllimin për të marrë maksimumin.
Debutimi në Champions – “Kemi punuar 25 ditë me ekipin bashkë, e kemi përdorur këtë periudhë kohore shumë mirë. Por nuk është e rëndësishme të flasim sot, në fushë duhet të bëjmë më të mirën, është një ndeshje shumë e rëndësishme pas një kohe të shkurtër. Më vjen keq se kishim vetëm 25 ditë dhe vetëm 2 ndeshje miqësore. Por në futboll ndonjëherë kjo ndoshta nuk vlen asgjë. E kemi vendosur formacionin, kemi stërvitjen e fundit dhe të shpresojmë që të mos ndodhë asgjë. Nuk është mirë ta them kush luajnë se ndodh me raste që të ketë të papritura”.
Diferencat – “Mund të flasim për problemet dhe avantazhet e BATE-s. Por e them se në futboll nuk është e sigurt gjë. Ne kemi nesër ndeshjen, në 90 minuta të provojmë veten dhe kemi folur 25 ditë se si të ndryshojmë, të jemi më kompakt, si një skuadër. Këtë u kam thënë djemve, që të luajmë si skuadër, se kemi lojtarë të huaj, kemi lojtarë shqiptarë, duhet të jemi si skuadër në çdo moment të ndeshjes. Duhet të jemi kompakt, me taktikë, që të luajmë shumë më mirë se më parë. Sa i përket BATE, kemi parë katër ndeshjet e fundit, është skuadër e mirë dhe kompakte. Por kjo duhet të na japë më shumë motivim e përqendrim, që të tregojmë për veten dhe mbështetësit, që të luajmë ndeshjen tonë më të mirë”.
Grupi – “Kemi dy lojtarë që nuk kanë qenë në maksimum në stërvitje në ditët e fundit, por sot të gjithë janë në rregull. Në miqësoret nuk kam vendosur formacionin titullar, kam ndryshuar formacionet. Në këto 25 ditë ne kemi folur për shumë gjëra, si të mbrojmë, si të sulmojmë, si të mund të luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme në këtë moment”.
Merkato – “Në këtë moment nuk mendoj për këtë se kam një grup lojtarësh i cili për mua në këtë moment është më i miri. Për ne është e rëndësishme të kemi një rezultat të mirë, që t’i jap pak kohë vetes, se çdo ditë jemi bashkë që të sigurohemi që të luajmë më mirë. Tani është e rëndësishme të përqendrohemi te kjo ndeshje, jo te lojtarët që mund të vijnë apo largohen, pasi në Europë çdo gabim është shumë i kushtueshëm”.
Situata në mbrojtje – “Linja e mbrojtjes është vija e parë e linjës së sulmit. Ne duhet të jemi kompakt”.
Kundërshtari – “Nuk e di, të shohim ndeshjen, shpresoj të bëjmë ndonjë surprizë. Nuk dua të krijoj alibi, por nesër, pas 25 ditësh, përsëri nuk do të di formën e plotë të ekipit tim. Kjo është sikur të jesh me një grua që e njeh për dy javë dhe pastaj të martohesh me të. Jo vetëm ndeshjen e parë, unë mundohem të fitoj gjithmonë”.
Partizani i Zekiç – “Për këtë mund të përgjigjem pas një apo dy muajsh, në këtë moment është një ndeshje shumë e rëndësishme. Për mua është e rëndësishme që të gjithë të jemi kompakt brenda 35 metrave. Sinqerisht, nuk më intereson nëse do të luajmë mirë apo jo, luajmë vetëm për rezultat. Nesër nuk duhet te kemi alibi, të luajmë sikur jemi bashkë prej vitesh. Sepse mendoj se dikush gjërat mund t’i kuptojë për 25 ditë, ndonjë tjetër ndoshta nuk do i kuptojë as për dy vite. Ajo që mund të them për BATE dhe Partizanin, me atë që kam parë në 25 ditë, jemi një skuadër krejtësisht ndryshe dhe me ide tërësisht ndryshe. Kemi një profil lojtarësh totalisht të ndryshëm në fushë. Çdo ditë ke gjëra që duhet të mendosh, por nëse mendon gjithmonë për problemet, mbetesh viktimë nuk mund të bësh progres. Nuk më pëlqejnë disa gjëra, se i mendoj gjërat ndryshe, por unë mundohem të ndihmoj lojtarët e mi që të përmirësohen”.
Ekipi favorit – “BATE ka më shumë eksperiencë në Europë se sa Partizani, por nesër duhet të mendojë për këto 90 minuta dhe që të bëjmë situata më të mira para portës. Për shembull,. kur isha te Osijek, luajtëm për herë të parë pas 25 vitesh në Europë dhe luajtëm shumë, shumë mirë. Kjo është e gjitha se si përgatitemi mendërisht”.
Grezda titullar – “Nuk ka rëndësi kush e nis nga fillimi. E rëndësishme është se si do ta përfundojmë dhe në këtë moment kemi 5 zëvendësues dhe janë të rëndësishëm ata që vijnë nga stoli se mund të ndryshojnë fatin e ndeshjes”.





