18 shtator 2015 – Imazhet e skuadrës së kuqe të Partizanit dhe tifozerisë së saj kanë “pushtuar” rrugët e Hong Kongut. Autobusët që qarkullojnë në rrugët e këtij qytet-shteti aziatik-kinez, në një reportazh promovues të vlerave turistike të Shqipërisë, transmetojnë në ekranet e tyre imazhe të skuadrës së “demave”, si dhe të tifozerisë së saj të zjarrtë, duke e paraqitur vendin tonë edhe si një mundësi e mirë investimi për biznesin kinez.

Nuk është e rastësishme zgjedhja e Partizanit për të promovuar Shqipërinë në Hong Kong. Ai lidhet me faktin se është klubi më popullor në vendin tonë, me një njohje të klubit të kuq në vitet ’70 me Kinën, ku skuadra e kuqe e atyre viteve ka zhvilluar disa ndeshje në vendin e largët aziatik. Dhe mbi të gjitha, kjo përzgjedhje, mesa duket lidhet më shumë me marrëdhënien e biznesit që ka presidenti Gazmend Demi me biznesmenë kinezë, të cilët jo rrallë shihen në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”, por edhe kontribuojnë me sponsorizime në mbarëvajtjen e klubit të kuq, çka e ka pranuar edhe vetë kreu i klubit të Partizanit. 

/portali DurresLajm/