Takimi Partizani-Teuta u luajt në një stadium të boshatisur, gjë e cila bënte që të dëgjohej çdo fjalë që thuhej nga tribuna VIP, si dhe udhëzimet që stafet teknike jepnin karshi lojtarëve. Gjyqtarët në momentin që hynë në fushë u takuan me pjesëtarë të dy stafeve. Që në këtë moment nisën batuat. Në momentin që Jemini po bisedonte me Sukajn dhe trajnerin Magani, anësori Rexha e thërret kryesorin: “Hajde, o drejtor!”. Jemini me të qeshur i përgjigjet: “Nisni nxehjen se erdha”. Por kur priste të niste takimi, në stadium pllakos errësira dhe tribuna VIP pyet drejtorin për defektin, i cili përgjegjësinë e delegon tek OSHEE. Pas pesë minutash lojë, një grup tifozësh të Partizanit ngjiten te muri i tribunës anësore ku nisin të këndojnë këngët e ultrasve të kuq. Por gëzimi i tyre është shuar shpejt, pasi i larguan forcat e rendit.
Gjithsesi, në mënyrën e tyre ata u munduan të mbështesin ekipin edhe nga jashtë ku nuk munguan brohoritjet dhe hedhja e fishekzjarrëve. Duke ditur se stadiumi ishte i boshatisur, “tenorët” e këtij takimi mbeten Sulejman Starova dhe Gugash Magani, që çdo minutë bënin apelin e lojtarëve. Te Partizani në grupin e më të thirrurve bënin pjesë Fejzullahu dhe Kalari, por edhe Raçiç, të cilit “Bobi” duhet t’i kujtonte gjërat më elementare që kanë lidhje me sjelljen e një futbollisti në fushë. Ndërsa Magani i mori thuajse me radhë, duke u kujtuar lojtarëve se si duhet të bllokonin kundërshtarin. Por Starova, ashtu si në stërvitje, edhe gjatë ndeshjes së djeshme shpalosi batutat e tij ironike karshi lojtarëve. Por në rastet kur Plaku dhe Raçiç humbisnin rastet për shënim, nga pankina e kuqe vinin sinjalet: “yyyyyyyy”, “iiiiiii”. Në minutën e 23-të, Daja bën një gjuajtje nga distanca, por në stadium dëgjohet thirrja e portierit Hoxha: “Dora, e preku me dorë”. Në pushim të ndeshjes, nga tribuna VIP pati kontestim për gjyqtarin Jemini, për një penallti të pretenduar.
Në pushim të ndeshjes, tribuna VIP u zhvendos në lokalin e stadiumit. Në momentin që Flamurtari shënoi golin e dytë, disa të pranishëm u hodhën duke festuar golin. Gjatë kohës që pjesëtarët e VIP-it po konsumonin ndonjë pije, Xhevahir Sukaj, i pezulluar nga Disiplina, shprehu keqardhje që nuk ishte prezent, por duke thumbuar edhe trajnerin: “Sot që nuk luaj unë, ky (Starova) me tre sulmues përpara”. Në pjesën e dytë thirrjet vinin nga të gjithë krahët, por ajo që spikati më shumë ishte batuta e Starovës për një top të kthyer pa adresë nga Daja. “Kujt ia ktheve, Marikës?”, tha “Bobi”. Por presidenti Demi nuk ka duruar kur ka ardhur zëvendësimi i Fazliut me Bylykbashin, i cili iu drejtua kështu Starovës: “O Sule, po Plakun pse e mban”. Përgjigjja e “Bobit” ishte: “Tre kemi në dispozicion, nuk kemi më”. Një moment ilariteti në këtë takim ishte edhe dalja me barelë e Lukiçit, ku punëtorët në vend që ta ulnin në pistë morën drejtimin nga dhomat e zhveshjes. Fundi i ka mërzitur të gjithë në kampin e kuq, sa tribuna VIP zbrazet me shpejtësi. Në fund nuk ka munguar edhe batuta e Perlat Mustës karshi trajnerit Magani: “Urime Gasho, e fitove një derbi”. Trajneri i Teutës, pas përqafimit me legjendën e portës së kuqe, u përgjigj: “Do të fitoja një herë edhe unë me Partizanin”.
Disa nga thirrjet e protagonistëve:
-Starova, Dajës: Ec, mor dreq!
-Starova, Fejzullahut: O Fejzo, kape more topin e parë!
-Starova, Trashit: O Trasho, foli more Kalarit!
-Starova, Raçiçit në disa raste: “Go, go. Move”. Nuk munguan
edhe gjestet me dorë që kishin të bënin me afrimin apo daljen
nga pozicioni.
-Starova, Dajës pas ndërhyrjes ku mori të verdhë: O Daje, mos
e tepro, lëre me aq.
-Bicaj, Jeminit: Çfarë është ai faull që dhe more!
-Starova, Bicajt: Ec përpara!
-Bicaj, Starovës: Na lër të qetë!
-Krasniqi i jep një top të fortë Ibrahimit. Në këtë moment,
Starova i thërret: Kujdes se ia çave barkun!
– Daja kthen një top pa adresë.
Starova: Kujt ia ktheve,
Marikës?
-Demi, Starovës: O Sule, po Plakun pse e mban?
-Starova, Demit: Tre kemi, nuk kemi më.
-Trajneri Magani, Çyrbes: Ngreje kokën lart kur të pasosh.
– Magani, Lukiçit te rasti i golit: Lukiç, në portë, në portë!
-Magani, të birit Arturit. Turi, mos lëviz, rri aty!