Frika për të mos humbur mbizotëroi në sfidën përmbyllëse të javës së 25-të të Superiores, Partizani-Teuta, e mbyllur me rrjeta të paprekura. Pavarësisht dominimit të të kuqve në lojë, kryesisht më qarkullimin e topit, munguan rastet e pastra në portat respektive. Stivi Frashëri “nxehu disi muskujt” gjatë pjesës së parë pas tentativave të Çinarit (18’) dhe Bardhit (32’), ndërsa “Djemtë e Detit” humbën mundësinë më të mirë të kësaj sfidë në të 58-tën me Krasniqin, i cili nuk u koordinua si duhet në finalizimin e një penalltie në lëvizje.
Momenti më i diskutueshëm i kësaj përballjeje pretendentësh në “Elbasan Arena” u shënua në minutën e 74-t, kur Eneo Bitri e dërgoi me kokë topin në rrjetë, por sipas anësorit në pozicion jashtë lojë. Nga pamjet e përsëritura vihet re se mbrojtësi i Partizanit ishte thuajse në vijë me mbrojtësin kundërshtar në momentin e krosimit të topit.
Përfundimisht 0-0, me të dyja skuadrat që humbin nga një pozicion për shkak të fitores së Vllaznisë, që u ngjit sërish në krye. Interesant fakti që Partizani-Teuta ka rezultuar një sfidë me shumë rivalitet në vitet e fundit, aq sa në shtatë takimet e fundit kanë shënuar gjashtë barazime dhe një sukses i durrsakëve.





