25 prill 2015 – Partizani drejt një binjakëzimi me klubin e Serie A, Udinese. Lajmi bëhet i ditur nga vetë klubi i kuq që paralajmëron një marrëveshje bashkëpunimi mes dy klubeve.
Në komunikatën e klubit kryeqytetas bëhet e ditur se,Udinese ka shprehur gadishmërinë për të nisur një bashkëpunim të frytshëm me 15 herë kampionët e Shqipërisë. Kontaktet e para janë realizuar gjatë vizitës së pak ditëve më parë në Itali të presidentit të Partizanit, Gazment Demi, ku numri një i "Të Kuqve" ka zhvilluar disa takime me drejtuesit më të lartë të klubit të Serie A, si drejtori i përgjithshëm Franco Collavino dhe drejtori sportiv, Cristiano Giaretta. Mes dy klubeve pritet të krijohet një partnerittet që do të mundësojë bashkëpunimin në të gjitha aspektet sportive ku përfshihen ekipet zinxhirë të akademive si dhe ekipi i parë.
Akademia e Udineses, një ndër më të mirat në Itali do të sjellë në Shqipëri vëzhguesit e saj më të mirë si dhe trajnerë për të ndihmuar akademinë e Partizanit në rritjen e futbollistëve. Bashkëpunimi gjithashtu synon të krijojë një rrjet vëzhguesish çka do t’u jepte talenteve shqiptarë mundësinë për të vijuar karrierën e tyre në skuadra elitare.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/