Partizani ka pësuar humbjen e parë në këtë kampionat, pikërisht në javën e 17-të. Kanë qenë kampionët e vendit në fuqi, kuqebardhët e Skënderbeut, ata që u kanë bërë “pit stop”-in të kuqve, duke u rrëmbyer edhe kreun e renditjes. Goli i Peter Olayinkës theu “bunkerin” e Partizanit dhe të portierit Alban Hoxha, duke i shtyrë drejt një minikrize 15 herë kampionët e vendit.
Për të evituar ndonjë tjetër hap fals në këtë fundviti, pas barazimit me Bylisin në “Qemal Stafa” dhe humbjes në Korçë, drejtuesit e kanë mbajtur të grumbulluar skuadrën. Pra, ashtu sikurse nisi tri ditë para transfertës me juglindorët, “regjimi i kazermës” do të vijojë deri të mërkurën, kur të luhet sfida e javës së 18-të e Superiores me Teutën. Nën drejtimin e stafit teknik, Partizani ka vijuar përgatitjet në palestër, sipas një programi të specifikuar për kontigjentin e lojtarëve, që u aktivizuan në sfidën ndaj Skënderbeut.
Grupi i kuq do të vijojë përgatitjet në fushë, seancë e cila do të zhvillohet në Qendrën e Ekipeve Kombëtare, në Kamëz. Ndërkohë, klubi i kuq ka bërë publike edhe çmimet e biletave të ndeshjes së të mërkurës, e fundit për këtë vit: “Klubi ju bën me dije çmimet e biletave për takimin Partizani-Teuta. Ju njoftojmë se për këtë takim, çmimet e biletave në tribunat respektive do të jenë: biletat në tribunat A dhe B do të kushtojnë 500 lekë (të rinj), biletat në tribunat D1, D2, D3 do të kushtojnë 200 lekë. Për femrat, hyrja në tribunat D1, D2, D3 do të jetë falas. Biletat do të mund t’i siguroni nga dita e martë, duke filluar nga ora 09:00 pranë dy pikave të shitjes, në stadiumin “Qemal Stafa” dhe pikës së njohur te 9-Katëshet.”