Ka 28 vite që ushtron profesionin e saj, por asnjëherë më parë Nina Beqiraj nuk kishte përjetuar një situatë të tillë, madje as në vitet e para, kur sapo kishte hapur biznesin dhe sfidat ishin të shumta.

Pas 2 muajsh mbyllur, të hënën salloni i bukurisë dhe estetikës “Nina Luxury” hap dyert në pritje të klientelës. Hapja do të shoqërohet me zbatimin rigoroz të protokollit të masave mbrojtëse, të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Që në hyrje të sallonit Nina na informon se çdo kliente do të pajiset me maska, doreza dhe papuçe njëpërdorimshe.

“Për vetë specifikën e punës në sektorin e estetikës, përdorimi i sterilizuesve për duart dhe pajisjet ka qenë përherë pjesë e pandarë e punës”,– thotë Nina. Ajo thekson se dy produktet sterilizuese të kompanisë gjermane LCN janë përdorur në çdo kohë në sallonin e saj, sidomos në stinën e dimrit, kur virozat janë më të pranishme.

Vëmendje të posaçme Nina i ka kushtuar përherë sterilizimit të pajisjeve që përdoren gjatë proceseve të ndryshme të punës. Autoklava dhe sterilizuesi me jone ozon ndodhen prej vitesh në sallonin e saj dhe në këto kohe pandemie Covid-19 janë një garanci e shtuar për stafin e sallonit dhe klientet.

Klientet do të vendosen secila në këndet e ndryshme të sallonit, në varësi të trajtimit estetik që do të duan, për të garantuar kështu distancimin social.

E ndërsa na tregon të gjitha masat e marra duke respektuar një për një të gjitha pikat e protokollit të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, vëmendja e Ninës është tek klientet, që kanë fiksuar oraret për ditën e hënë. Telefoni i saj bie vazhdimisht. Janë klientet që pyesin se kur mund të lënë një orar për flokët, thonjtë apo një trajtim për fytyrën. Ka prej tyre që pyesin sesi si do të funksionojë tani salloni, pasi orari përmbyllës është ora 17.30.

2 muajshi i mbylljes totale të sallonit “Nina Luxury” ka qenë një situatë mjaft e vështirë për biznesin ku janë të punësuara 15 profesioniste të parukerisë dhe estetikës. 

“Ne punojmë, jetojmë dhe kalojmë jashtëzakonisht kohë në këto ambiente. Të qëndroje dy muaj pa punë ishte e vështirë, pasi 15 familje durrsake në fund të muajit nuk mund të merrnin rrogën”,- thotë Nina.

E hëna është dita e parë e hapjes për të gjitha parukeritë dhe qendrat e estetikës në Durrës. “Qepenat” do të ngrihen fiks dy muaj pas mbylljes së tyre. Realiteti i ri që imponon pandemia Covid-19 i vë para një sfide të vështirë. Fatmirësisht qyteti bregdetar ka vetëm një rast aktiv me koronavirus dhe njerëzit e kanë lënë disi pas frikën e javëve të para.

Tani sfida më e madhe e bizneseve është ringritja. Nina, ashtu si dhe të gjitha parukieret e estetistet në 6 bashkitë e vendit që konsiderohen ende zona të kuqe, shpreson se qeveria do të zgjasë orarin e lëvizjes së qytetarëve dhe të ushtrimit të aktivitetit nga bizneset.

“Të paktën të ishte orari i mbylljes në orën 20.00, nëse do të ishte e mundur. Ne do të operojmë me diferenca 1 orëshe nga njëra kliente tek tjetra. Nëse do të mbyllim në 17.30, ne penalizohemi shumë”,- thotë Nina. 

E hëna e javës së ardhshme dhe ajo e 18 majit shënojnë rihapjen e thuajse 100% të bizneseve në Durrës.

M.B.