Nga 1 janari i vitit 2019 nuk do të lejohet importimi i makinave të përdorura mbi 10 vjet prodhim.

Ky është projektvendimi më i ri i prezantuar nga ministri i Turizmit Blendi Klosi në një takim me grupet e interesit në Ditën pa Makina.

Klosi u shpreh se së shpejti do të prezantohet në qeveri një vendimmarrje për të bllokuar makinat, të cilat janë në një moshë më të madhe sesa 10 vjet, dhe ky vendim do të vendoset pas 1 janarit të 2019-s.

Ministri theksoi se nuk do të kërkojë heqjen e makinave që janë sot në qarkullim, por do të kërkojë kufizimin e futjes së makinave të reja të përdorura më të vjetra se 10 vjet, ndërsa për makinat e patarguara që janë aktualisht në Shqipëri do të lihet një afat 5-mujor që të regjistrohen.