Ka përfunduar në orën 23:15 seanca e kësaj të enjte, e nisur që në mëngjes, ku u miratua me 73 vota pro dhe 44 kundër buxhetin faktik i shtetit për vitin 2016.

Pas 13 orësh diskutime e debate, seanca plenare u mbyll me votimin edhe për tarifat dhe shpenzimet gjyqësore.

Opozita u largua pa përfunduar procesi i votimit.

Edhe ky projektligj u miratua me 73 vota pro dhe 44 kundër.

Pas këtij momenti opozita është larguar nga salla e parlamentit, ndërsa mazhoranca kaloi në votim edhe projektvendimin për titujt e pronësisë me 73 vota pro dhe asnjë kundër, po ashtu edhe draft kalendarin e punimeve po me 73 vota pro.

Gjatë ditës së sotme në Kuvend u zhvillua një debat i ashpër për buxhetin mes shumicës dhe opozitës, ndërsa në diskutime morën pjesë shumë deputetë nga të gjitha forcat politike.