Është vënë në pranga në Greqi një shtetas shqiptar të shumëkërkuar dhe të konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë. Ai rezultonte me 3 urdhër arreste dhe 3 dënime nga autoritetet greke.

Policia greke kishte siguruar informacion se një i arratisur nga burgu i Malandrinos, banon në zonën e gjerë të Atikës Perëndimore, së bashku me familjen e tij.

Nga kontrolli arkivor u konstatua se i dyshuari i identifikuar si Aleksandër Marku, 45 vjec, ishte arratisur nga paraburgimi në Malandrino ku duhet të kthehej në 06.05.2011, pasi kishte marrë leje 9 ditore.

Ai ishte dënuar në 24.06.2009, nga Gjykata e Apelit Athinë, me një dënim total prej 22 vjet e 9 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja në bashkëpunim”.

Gjithashtu ai rezulton i dënuar nga Gjykata e 2-të Pesëanëtarëshe e Apelit Athinë në 27.04.2012, me 14 vite burgim, për veprat penale “Rastet e veçanta të vjedhjes, të kryera dhe në tentivë” dhe “Bashkëpunim në pastrim parash nga veprimtaria kriminale” si dhe nga Gjykata Njëanëtarëshe e Athinës në vitin 2017 me 19 muaj burg për “plagosje e rëndë në bashkëpunim, “armëmbajtje pa leje”, “përdorim i armëve” dhe “të shtëna pa arsye”.

Gjithashtu ndaj tij ka 3 urdhër arreste nga Prokuroria e Athinës në 2014 dhe 2015 për “grabitje” dhe nga Prokuroria e Pireut në 2015 për “grabitje në bashkëpunim”.