Stacioni bërthamor japonez Kashiwazaki-Kariwa, më i madhi në botë, është riaktivizuar sot për herë të parë pas katastrofës së Fukushimës në vitin 2011, njoftoi kompania që e menaxhon atë, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme të popullsisë.

Rihapja përfshin në fazën e parë vetëm një nga shtatë reaktorët e stacionit, i cili është më i madhi në botë në kapacitetin e tij të përgjithshëm të prodhimit.

Rifillimi i funksionimit ndodhi në orën 19:02, tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve përfaqësuesi i kompanisë Tokyo Electric Power (Tepco), Tatsuya Matoba.

Guvernatori i prefekturës veriperëndimore të Niigata, ku ndodhet stacioni, kishte dhënë miratimin e tij për rihapjen muajin e kaluar, edhe pse opinionet e qytetarëve janë të ndara.

Sipas një sondazhi të kryer në shtator nga prefektura, 60% e banorëve ishin kundër rihapjes, ndërsa 37% e mbështesnin.

Dje, të martën, disa dhjetëra protestues, kryesisht të moshuar, sfiduan të ftohtin për të protestuar në dëborë pranë hyrjes së stacionit, në bregun e Detit të Japonisë, kundër rihapjes së tij.