Dy vjet pas një aksidenti të rëndë që shkaktoi me pasojë vdekje e plagosje, është kapur në Durrës Gjon Gjergji 62 vjeç, banues në Mirditë.
Ai ishte në kërkim, dhe kapja e tij u bë e mundur nga ana e specialistëve për Krimet në Stacionin e Policisë Plazh.
Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 3 vite burg për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar në nenin 290/3 të Kodit Penal.
Policia e Durrësit bën me dije se shtetasi i mësipërm iu dorëzua Efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme.
NGJARJA
Një aksident rrugor ka ndodhur më 19 korrik 2015 në qytetin e Shkodrës ka sjellë si pasojë një person të vdekur dhe dy të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 në vendin e quajtur "Bahçallëk”. Si pasojë, janë plagosur 76-vjeçarja H.M., 8 vjeçari E.M si dhe 29 vjeçarja E.B., të tre banues në Shkodër. 76-vjeçarja H.M. ka gjetur vdekjen në duart e bluzave të bardha, disa orë pasi është transportuar për në spital.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i dy shoferëve. Të arrestuarit janë Gjon Gjergji, 60 vjeç, banues në Mirditë dhe Matteo Nonaj, 23 vjeç, banues në Shkodër.
Policia tha zyrtarisht se arrestimi i tyre u bë pasi, rreth orës 09.00 (e diel 19 korrik) Gjon Gjergji, në autoveturen tip Ford 6+1, me targa AA 763 JT, në segmentin rrugor Shkodër- Bushat dhe pikërisht në vendin e quajtur Bohçallek, ky mjet është përplasur me autoveturën tip Ford me targa AA 694 KJ i drejtuar nga Matteo Nonaj.
Si pasojë e përplasjes, autovetura me targa AA 763 JT ka dëmtuar këmbësorët që ndodheshin në stacionin e autobusit në Bahçallëk dhe pikërisht shtetasit H.M., 74 vjeçe, banuese në Shkodër, e cila ka gjetur vdekjen në spitalin Rajonal Shkodërpas disa orësh, si dhe E.M., 8 vjeç, banues në Shkodër dhe 29-vjeçaren E.B., banuese në Shkodër.





