9 nëntor 2015 – Tri ditë pas urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë, policia kufitare lejon anijet e peshkimit për gjuetinë në det. Klodian Kapici, kryetar i Sindikatës së Peshkimit, deklaroi se ditën e sotme me urdhër të Policisë Kufitare, kanë dalë vetë anijet e peshkimit që kanë kërkuar leje gjuetie. Prej tri ditësh këto anije nuk lejoheshin të peshkonin për shkak të ndotjes masive me hidrokarbure në bregdetin e Durrësit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se anijet e peshkimit përjashtohen si të dyshuara për ndotjen masive të plazhit të Durrësit që ndodhi ditën e shtunë. Megjithatë, nga këto anije janë marrë mostra të mbetjeve dhe janë dërguar në laboratorët përkatës për të bërë krahasimin me lëndën që u derdh në bregdet.
Ndërkohë, hetimet vijojnë në drejtim të anijeve të transportit dhe trageteve që kanë hyrë e kanë dalë në detin e Durrësit.
/K.H. portali DurresLajm/





