Kalvari në dyert e drejtësisë për Partinë Demokratike pritet të marrë fund sot më 11 qershor, pasi Gjykata e Apelit ka caktuar seancën që mund të jetë dhe e fundit për zgjidhjen përfundimtare të luftës brenda kampit blu, e nisur në fundin e vitit 2021.
Dy palët që kërkojnë të njihen përfundimisht si Partia Demokratike, Rithemelimi dhe pjesa që mbështet Lulzim Bashën kërkojnë drejtësi nga togat e zeza në Apel.
Dhe për këtë arsye sot në ora 10:00, Gjykata e Apelit pritet të vendosë për fatin e drejtimit të Partisë Demokratike, me treshen gjykuese që përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Ishte Gjykata e Lartë që ktheu çështjen në Apel, dhe në vendimin e zbardhur në 27 dhjetor të vitit të kaluar udhëzon shkallën e dytë të gjyqësorit që të japë zgjidhje përfundimtare për këtë çështje.
PRETENDIMET E PALËVE
Përfaqësuesit e dy PD-ve gjatë kësaj kohe kanë apeluar për vendimmarrje të drejtë.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e Rithemelimit vlerësojnë se Apeli të vendosë bazuar në ligjin për partitë politike dhe mbi të gjitha të zbatojë udhëzimet e datës 27 Dhjetor 2023, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i ka përcaktuar.
Të njëjtën gjë kërkojnë dhe vartësit e Bashës, të cilët kërkojnë nga Gjykata e Apelit të zbatojë me përpikmëri çdo detyrë që ka lënë Gjykata e Lartë dhe se vendimmarrja e Apelit të jetë në frymën e vendimit të Gjykatës së Lartë.
Sipas tyre Gjykata e Lartë ka lënë disa detyra që duhet të zbatohen nga Apeli dhe përfundimisht të japë një zgjidhje përfundimtare për legjitimitetin e organeve drejtuese të Partisë Demokratike.
Por pavarësisht se prej datës 27 Dhjetor të vitit të kaluar kanë në duar arsyetimin e Gjykatës së Lartë, të dyja palët janë rezervuar të shprehen se nga do të anojë peshorja e drejtësisë këtë herë, pasi dhe vetë praktika gjyqësore është shumë specifike dhe Gjykata e Lartë e kaorientuar drejt zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje.