Tre vjet pasi SARS-CoV-2 u përhap me shpejtësi thuajse në tërë botën, vijojnë ende pyetjet për origjinën e këtij virusi që vrau afro 7 milionë njerëz.

Shumë ekspertë vazhdojnë të besojnë se virusi kaloi nga kafshët e egra te njerëzit, në qytetin kinez të Wuhan. Një analizë e kohëve të fundit ka arritur në përfundimin se qentë ishin specia ndërmjetësuese e përhapjes së virusit, megjithatë kjo hipotezë ka ende vend për kritika.

Mundësia tjetër është që virusi të ketë origjinën në Institutin e Virologjisë në Wuhan, ku shkencëtarët thuhet se kryenin kërkime të rrezikshme për viruset në mënyrë që të kuptojnë se si mund të përhapen ato në botën reale. Pasi u hodh poshtë si një teori konspirative, hipoteza e “rrjedhjes nga laboratori” ka fituar besueshmëri muajt e fundit, pasi provat janë shtuar.

Anëtarët republikanë të Komisionit të Senatit për Shëndetin, Arsimin, Punën dhe Pensionet në Washington publikuan të hënën një raport prej 300 faqesh që konkludoi se virusi u përhap si pasojë e një incidenti nga një grup studiuesish.

Raporti thotë se deri në vitin 2019, Instituti i Virologjisë Wuhan kishte mbledhur më shumë se 20,000 mostra virale nga lakuriqët e natës dhe kafshët e tjera pa masa sigurie.

Ndër pohimet më befasuese në raportin e Senatit është se Zhou Yusen, një shkencëtar kinez kishte filluar të punojë për të prodhuar vaksinën kundër koronavirusit që në nëntor të 2019-s.

E teksa teoritë janë të shumta, FBI dhe Departamenti i Energjisë mendojnë se më shumë gjasa ka që virusi të jetë shpërndare prej laboratorit. Pas debateve e raporteve, dy teori janë dominuese. Ajo e tregut të kafshëve dhe e rrjedhjes nga laboratori.

Ndjenjat armiqësore ndaj Kinës janë rritur në Shtetet e Bashkuara, pasi konkurrenca ekonomike dhe e ardhmja e ishullit të kontestuar të Tajvanit kanë rritur tensionet midis dy superfuqive bërthamore. Disa anëtarë të Kongresit kanë bërë gjithashtu presion për të ndaluar TikTok, një aplikacion kinez i mediave sociale i përdorur nga miliona amerikanë.

Vlen të përmendet se edhe krijuesi i vaksinës “Fauci” është akuzuar si mashtrues nga shumë amerikanë, madje në komisionet e ngritura hetimore kishte njerëz me bluzat “Jail Fauci” duke iu referuar Dr. Anthony Fauci. Teoritë më të çuditshme të konspiracionit thonë se Fauci ka punuar në mënyrë aktive me kolegët kinezë për të krijuar një patogjen vdekjeprurës.

Megjithatë edhe pas kaq shumë kohësh, ende nuk ka një provë terësisht të besueshme për të hedhur poshtë të gjitha konspiracionet e mundshme dhe për t’i qëndruar një versioni të vetëm për origjinën e koronavirusit.