Ylli Toska, një autor mjaft i suksesshëm i 5 botimeve në prozë, pas një eksperimentimi shumëvjeçar në poezi, ka vendosur që të bëjë publike disa prej tyre nëpërmjet vëllimit poetik "E nisa rrugën".
Autori Toska shprehet se pas shkrimit të tyre, vetëm një pjesë e mirë kanë arritur që të mbijetojnë dhe kanë qënë pasqyrim i botës së tij shpirtërore në momente të veçanta të jetës.
Poeti tregon se poezia është një përjetim kompleks i emocioneve të momenteve të forta, të dhimbjeve dhe gëzimeve njerëzore dhe si e tillë, ajo edhe pse e brishtë prek zemrat e qindra e mijëra njerëzve.
Ylli është mjaft krijues në laboratorin e tij artistik. Ai bën me dije se në të ardhmen ka në plan për të botuar edhe 2 vëllime poetike si dhe po punon për 2 libra të rinjë në prozë.
Romani i fundit do të jetë një temë e veçantë, mjaft e preferuar e Toskës, që shënon edhe rikthimin e tij në temat e betejave ballkanike për betejat mes shërbimeve të fshehta. Ylli thekson se edhe në letërsi si kudo, suksesi vjen nga guximi.
K.H.