Pas shtatë ditësh që rezultonte e humbur, një 36-vjeçare është gjetur sot nga policia e Dibrës.

Policia thotë se shtetësja F.K., banuese në njësinë Administrative Maqellarë – Dibër ishte larguar nga banesa e saj dhe u arrit të gjendej pranë një rezervuari.

“Uniformat blu kanë vijuar kërkimet në mënyrë intensive për gjetjen e saj, ku krahas shërbimeve të Policisë Vendore ishin angazhuar edhe Polumbarët e Renea-s.Pas 7 ditësh kërkimesh, Policia e Dibrës në bashkëpunim me familjarët e shtetases së lartpërmendur, gjatë ditës së djeshme kanë bërë të mundur gjetjen e saj, (në një kodër pranë rezervuarit të fshatit Grezhdan)”, informon policia.

Ajo është dërguar në Spitalin Rajonal Peshkopi, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet  jashtë rrezikut për jetën.