Russell Brand thotë se ka qenë një javë “e jashtëzakonshme dhe shqetësuese” pasi ndaj tij u ngritën akuza për përdhunim dhe sulm seksual.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai falënderoi ndjekësit për mbështetjen e tyre dhe për “vënien në dyshim të informacionit që ju është paraqitur”.
Ky është reagimi i tij i parë publik që kur akuzat u publikuan nga Sunday Times dhe Dispatches e Channel 4 fundjavën e kaluar.
Në një hetim të përbashkët nga Sunday Times, Times dhe Dispatches e Channel 4, katër gra akuzuan Brand për sulme seksuale dhe përdhunime midis viteve 2006 dhe 2013.
Brand i mohoi pretendimet përpara se të publikoheshin akuzat, duke thënë se marrëdhëniet e tij ishin “gjithmonë konsensuale”.
Aktori dhe komediani nuk i adresoi akuzat drejtpërdrejt në videon tre minutëshe të publikuar dje, por bëri pretendime për atë që ai e përshkroi si “korrupsion dhe censurë mediatike” dhe “marrëveshje e thellë shtetërore dhe korporative”.
Ai tha se do të publikonte një video më të plotë në faqen e transmetimit të videos Rumble të hënën, duke thënë se platforma kishte bërë “një angazhim të qartë për lirinë e fjalës”.